Reklame:

Pika e ktheses: HEC-et private prodhojne me shume energji se ato publike

Tremujori i dytë i këtij viti solli një përmbysje të rëndësishme në sektorin energjetik: për herë të parë në histori, hidrocentralet koncesionare dhe private prodhuan më shumë energji se hidrocentralet publike. Mbështetur në të dhënat e Instat, HEC-et publike prodhuan 489 GWH energji elektrike, ndërsa impantet private dhe koncesionare prodhuan 790 GWH. Në të njëjtën periudhë të një viti më parë HEC-et publike kishin prodhuar dy herë më shumë energji se ato private.

Përmbysja ka ndodhur sidomos për shkak të ndryshimit të kushteve hidrike. Prodhimi i HEC-eve publike është kryesisht i përqendruar në kaskadën e lumit Drin, çka sjell një vartësi totale ndaj prurjeve hidrike në këtë kaskadë. HEC-et private dhe koncesionare kanë një shpërndarje më të gjerë gjeografike dhe rrjedhimisht një përqendrim më të ulët. Me sa duket, kjo ka bërë që rënia e prodhimit të jetë më e kufizuar krahasuar me HEC-et publike. Me rritjen e prurjeve në Drin raportet me shumë të ngjarë do të kthehen sërish në favor të HEC-eve publike, megjithatë, qoftë edhe përkohësisht, ky është një moment domethënës për sistemin energjetik. Në termat e kontributit relativ në prodhim, ky është rezultati më i mirë i arritur nga HEC-et koncesionare, që nga nisja e strategjisë për nxitjen e investimeve në energjetikë, pas vitit 2007.

Qeveria shqiptare ka dhënë gjithsej koncesione për ndërtimin e mbi 450 hidrocentraleve, por deri tani rezulton të kenë filluar prodhimin rreth 100 të tillë. Bëhet fjalë kryesisht për HEC-e me kapacitet të vogël, por ka edhe investime madhore, si Energji Ashta apo Devoll Hydropower, në kaskadën e lumit Devoll. Shumica e projekteve nuk kanë përfunduar ende, ndërsa një pjesë e madhe e tyre po sjellin dëme të konsiderueshme mjedisore.

Këtë vit, Ministria e Infrastukturës dhe Energjisë ndërmori një proces vlerësimi të ecurisë së zbatimit të kontratave koncesionare, në përfundim të të cilit u anulluan 27 kontrata, që parashikon ndërtimin e 80-HEC-eve. (SCAN)