Reklame:

Qepa e bardhe e Sukthit

Qepa e bardhë e Sukthit

Specia: Allium cepa L.

Përhapja:  Në zonën e ulët  e bregdetare kultivohet për  më  se 80 – 100  vjet. Mendohet se është me orgjinë nga  Italia, e mbjellë që në fillim të shekullit të 20- të në  fermën e Sukthit (Durrës). Fara  është mbajtur, ruajtur dhe  trashëguar nga bahçevanët. Aktualisht  zë  rreth  10-15  % të sipërfaqes  së qepës në  zonë, duke qenë kështu kultivari autokton i rrallë.

Përshkrimi: Bulbi ka formë të rrumbullakët, plloçak ana e rrënjëve dhe eliptik nga ana  e kërcellit. Diametri i bulbit rreth 8-10 cm. Pesha mesatare e tij rreth 200-300 g, por nuk përjashtohen rastet kur arrijnë deri 400 g. Luspat e jashtme janë 2-3, me  ngjyrë të bardhë në krem. Luspat e brendshme kanë  trashësi 4-5 mm, janë të lëngshme dhe  me ngjyrë të bardhë qumështi.

Bulbet përmbajnë rreth 90-92 % ujë. Ka shije të mirë, të ëmbël qepe, për rrjedhojë konsumohet gjerësisht e freskët në sallata. Ato nuk ruhen  për kohë të gjatë.

Kultivimi: Tradicionalisht kultivohet me fidanë. Fara  për prodhimin e fidanëve mbillet gjatë korrikut e deri në fillim të gushtit. Fidanët mbillen në fushë gjatë shtator – tetorit, në  largësitë 20 x 15 – 20 cm. Prodhimi i qepës së njomë merret  në periudhën shkurt-maj, kurse për gjysmë të thatë  në qershor-korrik të vitit pasardhës.

Rendimenti: rreth 25 – 30 kv/dynym.

Veçantitë

Pozitive: Është mesatarisht e qëndrueshme ndaj sëmundjeve.   Jep  prodhim të mirë e të qëndrueshëm.

Negative: Nuk ruhet  për kohë të gjatë.

Përdorimi: Për  konsum të freskët dhe gatime.

Risku: Është në rrezik zhdukjeje; në vite nuk është punuar për seleksionimin dhe prodhimin e farës.