Reklame:

Raporti/ Mbrojtja e mjedisit, çfare synimi duhet te arrije Shqiperia deri ne 2030

Mbrojtja e territorit dhe në veçanti e resurseve natyrore e ujore kombëtare paraqitet si domosdoshmëri për zhvillimin e brezit bregdetar. Sipas një raporti të fundit të UNDP, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Territorit, është ndërtuar një plan, sipas të cilit synohet rritja e shkallëve të mbrojtjes së mjedisit, ndërkohë që propozon paralelisht zhvillimin e ndërlidhjes së tyre përmes korridoreve ekologjike.

“Mbrojtja dhe zhvillimi i ekosistemit natyror të brezit bregdetar propozohet të kryhet nëpërmjet ndërlidhjes së zonave të mbrojtura mjedisore, të përbëra nga rrjeti i sistemit natyror të parqeve e zonave të mbrojtura mjedisore si dhe nga rrjeti i sistemit ujor të zonave të mbrojtura mjedisore. Kjo lidhje do të realizohet përmes korridoreve të gjelbra ekologjike, në nivel vendor, rajonal e kombëtar.Plani propozon kufizimin e zhvillimeve në afërsi të rrjedhave e brigjeve lumore, duke mundësuar kështu ruajtjen dhe kthimin e tyre në korridore natyrore peizazhistike, që krahas luajtjes së rolit të kalimeve ekologjike për faunën e vendit tonë përbëjnë edhe një potencial të rëndësishëm për zhvillimin e eko-turizmit.’-thuhet në raport.

Këto korridore duhet të lidhin asetet natyrore të hapësirës bregdetare, duke përfshirë të gjitha zonat e mbrojtura dhe habitatet ekologjike tokësore e detare, rrjedhat lumore, pyjet dhe zonat peizazhistike pjesë apo jo të vendbanimeve urbane e rurale. Përmirësimi i cilësisë së mjedisit dhe aksesit në detet Adriatik dhe Jon, duhet të realizohet nëpërmjet përdorimit të teknologjive me zero emetim të dëmshëm, si kundërpërgjigje ndaj ndryshimeve klimatike.

Target për 2030:

1. Shtimi me 30% i zonave të mbrojtura natyrore si dhe krijimi i rrjeteve të parqeve në nivel vendor dhe rajonal;
2. Krijimi i korridoreve të gjelbër përgjatë 7 lumenjve kryesorë te vijës bregdetare;
3. Reduktimi me 80% i derdhjeve të mbetjeve dhe ndotjes nga qendrat urbane në lumenjtë e brezit bregdetar;
4. Përmirësimi me 30% i cilësisë së ujit, florës dhe faunës në plazhet e detit Adriatik dhe 20% në detin Jon;
5. Reduktimi me 25% i emetimeve të dëmshme në ajër (CO2).