Reklame:

11.6 mije shqiptare presin nje pergjigje kampeve te Europes, shanset qe te refuzohen jane te medha

Janë me mijëra shqiptarë që presin me ankth se cila do të jetë përgjigja ndaj aplikimit të tyre për të fituar statusin e azilantit në një prej shteteve të Bashkimit Europian. Ata kanë lënë me dëshpërim vendin e tyre në kërkim të një jete më të mirë dhe fati i tyre varet nga një përgjigje, që do i mundësonte të fillonin një jetë të re, ose do t’i detyronte të ktheheshin mbrapsht, apo të “zhdukeshin” pa të drejta nëpër Europë. Shumë janë familjarë me fëmijë të vegjel dhe kjo i mban me shpresë se autoritetet mund të tregohen më zemërgjerë.

Të dhënat e Zyrës Europiane të Mbështetjes së Azilit (EASO) bëjnë të ditur se deri në fund të muajit qershor kishte 11,595 raste të mbetura pezull për aplikime për azil nga shqiptarët. 46% e këtyre rasteve kanë më shumë se 6 muaj pezull, të tjerat më pak se 6 muaj.

Pasi rastet e mbetura pezull ranë në rreth 7,300 në janar 2018, ato filluan të rriteshin sërish në pjesën e parë të këtij viti, si rrjedhojë e rigjallërimit të ciklit të emigracionit. Të dhënat e tjera të EASO bënë të ditur se në 6 muajt e parë të vitit kishte 10,439 kërkesa për azil për herë të parë nga shqiptarët në një nga vendet e Bashkimit Europian. Në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kërkesat për azil janë rritur ndjeshëm me 29.3%.

Rastet e mbetura pezull janë ndër më të lartat në rajon edhe për faktin se aplikimet për azil janë dukshëm më të larta në raport me shtetet fqinjë, mesatarisht 4-5 herë më shumë. Serbia ka rreth 1500 raste pezull, Maqedonia e Veriut, 740, Bosnja 619, Kosova 1600.

Por, pjesa më e madhe e atyre që presin ka shumë gjasa të marrin përgjigje negative. Shqipëria nuk është as në luftë dhe as në konflikt civil, që do i jepte përparësi qytetarëve të saj. Përkundrazi cilësohet prej vitesh si një vend i sigurt dhe për më tepër që është në proces negociatash për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, megjithëse ky process po shtyhet  e po shtyhet.

Të dhënat e EASO tregojnë se mesatarisht 93-96% e aplikimeve nga shqiptarët marrin një përgjigje negative. Për shembull, në qershor nga 1750 aplikime që u shqyrtuan, vetëm 58 morën status refugjati dhe 57 morën mbrojtje sociale, të tjerët u refuzuan të gjithë. Vetëm pak ditë më parë nga Franca u kthyen 60 azilantë dhe autoritetet franceze e shqiptare paralajmëruan se nuk ka shanse që shqiptarët të pranoheshin.

Por, ky refuzim nuk i pengon shumë të ikin. Që nga viti 2014, mbi 180 mijë shqiptarë kanë kërkuar azil në një nga vendet e BE-së, ku rekordi u arrit në 2015-n me rreth 69 mijë aplikime. Pas rënies në periudhën në vijim, 2019-a, e shoqëruar me kriza të tejzgjatura politike, duket se humbi më tej shpresën dhe nxiti një valë të re ikjesh. (Monitor)
)