Sherebela
Salvia officinalis L.
Përhapja: Ka origjinë nga Mesdheu lindor dhe është përhapur në të gjithë Mesdheun; në Shqipëri gjendet me shumicë në të gjithë zonën kodrinore bregdetare dhe më thellë (Malësi e Madhe kryesisht në Koplik, Lezhë, Mat, Rrëshen, Krujë etj). Shkon deri në lartësinë 1000m mbi nivelin e detit.
Përshkrimi: Është me kërcell katërkëndor të degëzuar deri rreth 80-100cm të lartë. Gjethet janë të forta e me një veshje pushore të bardhë, me formë vezake gjatoshe dhe vendosje të përkundërt. Lulet, me ngjyrë blu në manushaqe, ndonjëherë në trëndafili, formojnë kallinj fundorë; kupa, si kambanë dybuzore, është leshtore e me nervura të shumta. Bima ka aromë të këndshme dhe shije të hidhur aromatike.
Shtimi: Kryhet me farë si dhe nëpërmjet copave rrënjore ose duke mbjellë copat e bimës.
Përdorimi: Droga mjekësore përbëhet nga gjethet, të cilat përveç qimeve mbuluese, kanë dhe qime të tipit klasik të Labiateve. Acidet yndyrore që gjenden tek sherbela kanë veti antiseptike, antivirale, antimykotike, antioksiduese dhe antiinflamatore.
Sherebela përdoret si stimulant, në ulcerat, kundër deprsionit, marramendjes etj. Përdoret kundër kollës, ftohjeve dhimbjes së grykës dhe bronkitit. Në kozmetik vaji esencial i sherbelës përdoret si përbërës aromatik i sapunëve, pluhurave dhe lëngjeve larës, kremrave, parfumeve.