Ministria e Turizmit dhe Mjedisit bëri me dije së fundmi listën e tematikave që duhet të përfshijnë idetë e projekteve strategjike që të mund të financohen nga ai që njihet si Fondi i Gjelbër i Klimës. Në një dokument të bërë publik nga ky institucion theksohet se subjekte publike dhe private mund të paraqesin idetë e tyre deri në 14 tetor, çka më pas do të kalojnë në një sitë vlerësimi për të nxjerrë edhe fituesit.
“Autoriteti Kombëtar i Autorizuar për Green Climate Fund në Shqipëri, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, po hap thirrjen për projekt propozime me qëllim identifikimin e ideve për projekte strategjike në kuadër të Projektit për “Zhvillimin e Kapaciteteve të Shqipërisë për një Angazhim të Efektshëm me Fondin e Gjelbër të Klimës”. Identifikimi i projekt ideve të tilla strategjike pritet të forcojë akoma më shumë procesin e angazhimit të grupeve të interest dhe të sigurojë një qasje sa më koherente dhe prioritizuese për nevojat e vendit për financime të gjelbërta” njoftoi ministria.
Ndër të tjera kjo e fundit listoi se idetë e identifikuara duhet të përfshijnë prioritetet tematike të lidhura me reduktimin e emetimeve nga :aksesi dhe prodhimi i energjisë, transporti, ndërtesat, qytetet, industritë dhe pajisjet, pyjet dhe përdorimi i tokës.
Në një pjesë të dytë ministria thekson se është e hapur mundësia edhe për tematika të lidhura me shtimin e aftësisë ripërtëritëse të: Komuniteteve dhe popullsisë më vulnerabil, shëndetit, mirëqenies, dhe sigurisë së ujit dhe ushqimit, infrastrukturës dhe ambienteve të ndërtuara, ekosistemeve dhe shërbimeve nga ekosistemet.
Fondi i Gjelbër i Klimës është një mekanizëm financimi i ngritur nën kornizën e Kuadrit të Konventës së Ndryshimeve Klimatike në Kombet e Bashkuara si një traktat ndërkombëtar i ngritur nga viti 1992. Ky fond ndihmon financimin e investimeve me emisione të ulëta apo zhvillime në harmoni me politikat e ndryshimeve klimatike. Deri më tani kontributet në këtë fond llogariten 10.3 miliardë dollarë ku pjesën më të madhe të kontributeve e kanë dhënë vendet e zhvilluara dhe më pak ato në zhvillim. SHBA në kohën e Presidencës “Obama” u angazhua për një donacion 3 miliardë dollarësh por që arriti të transferonte vetëm 1 miliardë. Pas kësaj presidenti i ri Trump njoftoi tërheqjen nga Marrëveshja e Parisit duke kritikuar edhe Fondin e Gjelbër.