Indeksi i çmimeve të produkteve bujqësore u rrit me 2% vitin e kaluar. Instituti i Statistikave raporton se përgjithësisht rritja e çmimeve u përqendruar kryesisht te prodhimet bimore, me 3.5%, ndërsa çmimet e prodhimeve blegtorale regjistruan një rritje të lehtë me 0.2%.
Sipas Instat, rritja e çmimeve në bujqësi vitin e kaluar erdhi në masën më të madhe prej grupit të bimëve industriale, me 9.5% dhe perimeve, me 8.9%. Ndërkohë, për frutat çmimet regjistruan një rritje të lehtë me 0.2%.
Efekt balancues në indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore dha ulja e çmimeve për bimët foragjere, me 6.4% dhe patatet, ku çmimet ranë me 3.6%. Tregu i produkteve blegtorale shfaqi çmime më të qëndrueshme.
Ndërkohë që çmimi i mishit u rrit me pak më shumë se 1%, çmimi i qumështit dhe i nënprodukteve të tjera të blegtorisë pësoi rënie me afërsisht gjysmë pikë përqindjeje.
Indeksi i çmimeve të prodhimeve bujqësore mat çmimin e produkteve bujqësore në hallkën e parë të tregtimit. Instat e bën matjen e çmimeve me bazë mujore pranë fermave, pikave të grumbullimit apo tregjeve të shumicës.
Ky tregues nënkupton çmimin me të cilin fermeri e hedh në treg produktin e vet, ndërsa ecuria e çmimeve të produkteve bujqësore me pakicë jepet nga indeksi i çmimeve të konsumit. Në fakt, të dhënat e Instat kanë treguar se, në nivel konsumi, çmimet e prodhimeve bujqësore, sidomos të perimeve, kanë qenë një ndër shtysat kryesore të inflacionit në ekonomi.
Rritja e çmimeve të konsumit për perimet dhe frutat, ka qenë ndjeshëm më e lartë se rritja e çmimeve të prodhimit. Për shembull, nëse çmimi prodhimit të perimeve për vitin 2018 u rrit me 9%, çmimet e konsumit për të njëjtin produkt u rritën me rreth 13%.
Diferenca është më e thellë të frutat, ku çmimet e prodhimit u rritën me vetëm 0.2%, ndërsa çmimet e konsumit u rritën me 5.6%. Duhet pasur parasysh se në çmimet e konsumit një efekt e japin edhe çmimet e produkteve bujqësore të importuara.
Por, sidoqoftë, fakti që çmimet e konsumit të produkteve bujqësore rriten më shumë se ato të prodhimit mund të jenë një indicie për mungesën e një shkalle optimale konkurrence, në nivel të grumbullimit apo tregtimit me shumicë të këtyre produkteve.
Një shembull tipik i problemeve të konkurrencës në tregun bujqësor është ai i ndërmarrjes “Ekma Albania”, që administron tregun me shumicë të produkteve bujqësore për Tiranën. Në fund të vitit të kaluar, kjo ndërmarrje u gjobit me 43 milionë lekë për shkelje të rëndë të ligjit “Për mbrojtjen e Konkurrençës”.
Nga hetimi i kryer, Autoriteti i Konkurrencës konstatoi se abuzimi i Ekma Albania me pozitën monopoliste ka krijuar kosto të konsiderueshme shtesë në çmimet e produkteve bujqësore për konsumatorët e kryeqytetit.(Scan)