Reklame:

ATP: Nga 9 shtatori nisin aplikimet per kompensim financiar te pronareve. Dokumentacioni qe kerkohet

Agjencia e Trajtimit të Pronave ka njoftuar fillimin e procedurave për kompensim financiar të pronave, të pasurive të paluajtshme që preken nga ndërtimet informale.

Sipas njoftimit zyrtar të ATP, procesi i pranimit të kërkesave të subjekteve përfituese do të fillojë me 9 shtator 2019 dhe do të jetë i pakushtëzuar në kohë.

“ATP fton të gjithë subjektet e interesuara, të paraqiten pranë zyrave të saj, në adresën Rruga ‘Muhamet Gjollesha’, Nr. 54, Tiranë, çdo ditë nga e hëna në të premte, për plotësimin e kërkesës për kompensim dhe dorëzimin e dokumenteve përkatës” shkruan ATP në njoftimin publik.

Subjektet kërkues, në momentin e kërkesës për kompensim duhet të paraqesin dokumentacionin si më poshtë:

1.Kërkesën për kompensimin e pronës, sipas formatit tip, që i vihet në dispozicion nga ATP;

2.Dëshminë e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së trashëgimtarëve, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil;

3.Prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjithë subjektet që përfitojnë kompensim, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të tyre. (Në rastet kur nuk është e mundur të dorëzohet prokura e posaçme, secili bashkëpronar apo një pjesë e tyre, paraqesin kërkesë individuale apo të përbashkët, për pjesën takuese në pronën që kompensohet. Në rastin e kërkesave individuale të secilit bashkëpronar apo të një pjese të tyre, për çdo kërkesë të kryer, paguhet tarifë shërbimi në vlerën 2 000 (dymijë) lekë, pavarësisht se i përket të njëjtës pasuri të paluajtshme);

4.Vërtetimin origjinal të lëshuar nga një bankë e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare në emër dhe për llogari të subjektit përfitues, ku përcaktohet edhe numri i llogarisë bankare (IBAN), ku do të transferohet vlera financiare e përfituar;

5.Fotokopjen e dokumentit të identifikimit;

6.Mandat pagesën, që vërteton pagimin e tarifës së shërbimit në vlerën 2 000 (dymijë) lekë.

 Çdo subjekt i cili ka aplikuar më parë, por për shkak të mungesave në dokumentacione nuk është pranuar, do të ketë të drejtë të riaplikojë, pa paguar tarifë shërbimi. (SCAN)