Reklame:

Lehtesim i tregtise ne rajon – Shqiperia, Serbia e Maqedonia e Veriut projekt te perbashket, ulen kostot

Një projekt prej 25 milionë eurosh do lehtësojë tregtinë në vendet e rajonit , duke nisur nga kryerja e veprimeve doganore në një dritare të vetme, te krijimi i sistemit inteligjent të transportit deri te instalimi i pajisjeve të nevojshme për menaxhimin e transportit të integruar. Në fazën e parë të projektit do përfshihen Shqipëria, Serbia e Maqedonia e Veriut.

Komisioni Parlamentar i Ligjeve ka miratuar të mërkurën ratifikimin e një huaje nga BERZH që synon lehtësimin e tregtisë në rajon.

Projekti synon realizimin e një sërë programesh që nisin nga mbulimi i veprimeve doganore në një dritare të vetme, te krijimi i sistemit inteligjent të transportit deri te instalimi i pajisjeve të nevojshme për menaxhimin e transportit të integruar.

Zëvendësministri i Financave Erjon Luci tha në Komision se projekti në total kushton 25 milionë euro, dhe nga Berzh do të merret shuma prej 17 milionë eurosh. Faza e parë e projektit do të përfshijë Shqipërinë, Serbinë e Maqedoninë e Veriut, ndërkohë që në fazën e dytë do të përfshihen dhe tre shtetet e tjera.

Po gjatë së mërkurës, Komisioni i Ligjeve miratoi edhe marrëveshjen për ratifikimin e fondeve për bashkëpunimin ndërkufitar Shqipëri-Kosovë.  Sipas Zëvendësministrit të Jashtëm Sokol Dedja,  marrëveshja parashikon projekte në zonat përkatëse që do përqendrohen te mbrojtje e mjedisit, nxitja e turizmit si dhe investimi te të rinjtë e në formim. (SCAN)