Ndryshime të rëndësishme pritet të realizohen pas miratimit të ligjit të ri “Për Ndryshimet Klimatike”. Sipas relacionit që shoqëron këtë pr/ligj bëhet e ditur se ligji është parashikuar të hyjë në fuqi 6 muaj pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe ka për qëllim krijimin e një skeme për tregtinë e e lejeve për shkarkimet e gazeve serrë brenda Komunitetit dhe që amendon direktivën e Këshillit Europian.
Ndryshimet si më poshtë:
-Seksioni i parë i kushtohet shkarkimeve të gazeve serrë nga instalimet e palëvizshme. Këtu futet për herë të parë koncepti i lejes së mjedisit që përfshin edhe gazet serrë; informacioni që kërkohet në një aplikim për leje mjedisi, kushtet që duhet të plotësojë një aktivitet/operator lidhur me shkarkimet e gazeve serrë për të marrë një leje mjedisi që i përfshin gazet serrë; kërkesat që i caktohen atij në lejen e mjedisit për këto shkarkime; kërkesat për monitorim, raportim verifikim të këtyre shkarkimeve dhe akreditim të verifikuesve.
Këto kërkesa burojnë nga direktiva 2003/87/EC e Parlamentit Evropian dhe Këshillit të datës 13 tetor 2003 për krijimin e një skeme për tregtinë e lejeve për shkarkimet e gazeve serrë brenda Komunitetit dhe që amendon direktivën e Këshillit 96/61/EC; e amenduar si më lart. Lista e gazeve serrë që mbulohen nga ky projektligj, lista e aktiviteteve dhe gazeve serrë që janë objekt i monitorimit, raportimit dhe verifikimit për qëllime të pjesëmarrjes (potencialisht në të ardhmen) në tregtinë e shkarkimeve jepen në anekset i dhe II. Ky seksion, së bashku me një pjesë të seksionit të dytë hapin bazën ligjore për vendime të Këshillit të Ministrave që harmonizojnë kërkesat me acquisi.
-Seksioni i dytë, në nene të veçanta, i referohet shkarkimeve nga sektori i transportit: aviacioni ndërkombëtar, lundrimi ndërkombëtar dhe transporti rrugor. Lista e aktiviteteve të aviacionit ndërkombëtar, që përjashtohen nga kërkesat e këtij seksioni, jepet në aneksin III. Në këtë seksion hapet baza ligjore për disa vendime të Këshillit të Ministrave që harmonizojnë kërkesat me acquis.
-Seksioni i tretë, në dy nene të veçanta, i kushtohet shkarkimeve nga sektori i energjisë dhe ndërtimit. Këtu nuk përcaktohen kërkesa specifike, por thjesht i bëhet referencë akteve respektive në këtë fushë. Qëllimi është që projektligji të japë një panoramë sa më të plotë të të gjithë faktorëve ekonomikë, të cilët,nëpërmjet shkarkimeve të tyre kontribuojnë për ndryshimet klimatike, por nga ana tjetër kanë edhe një potencial të lartë për t’u përshtatur ndaj tyre.
-Në seksionin e katërt, në 3 nene të veçanta trajtohen kërkesat për disa produkte sic janë: -lëndët djegëse dhe burimet e rinovueshme të energjisë, përfshirë biokarburantet, ku krijohet baza ligjore për një vendim të Këshillit të Ministrave; -substancat ozon holluese, të cilat vetëm përmenden për potencialin e tyre për krijimin e efektit serrë, por lihen të trajtohen me legjislacion të posaçëm; -gazet e florinuara, ku krijohet baza ligjore për disa vendime të Këshillit të Ministrave që do të sigurojnë harmonizimin me rregulloret e BE-së në këtë fushë.
-Në seksionin e pestë, në dy nene të veçanta trajtohen pyjet dhe bujqësia, si një nga përthithësit e gazeve serrë dhe depozitimi gjeologjik i CO2, ku hapet baza ligjore për një vendim të Këshillit të Ministrave që do të sigurojë harmonizimin me një rregullore dhe acquis dhe një vendim të Këshillit të Ministrave që transpozon një direktivë.