Reklame:

Turizmi dhe bujqesia ulin papunesine ne rekord ne 3-mujorin e dyte, treguesi 11.5%

Treguesi i papunësisë shënoi rënie të mëtejshme në tremujorin e dytë të vitit 2019, duke arritur nivelin 11,5%. Ky është një rekord i ri i papunësisë sipas INSTAT, ku shihet se treguesi, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2018, ka rënë me 0,9 pikë përqindje, ndërkohë krahasuar me tremujorin e parë 2019, shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 0,6 pikë përqindje.

Të dhënat zyrtare tregojnë se punësimi shënoi rritje në sektorin e shërbimeve me 2,3%, në sektorin e industrisë me 1,5% dhe në sektorin e bujqësisë me 2,2%.

Gjatë këtij tremujori, në krahasim me të njëjtin tremujor të vitit 2018, numri i të punësuarve gjithsej u rrit me 3,4%, ndërkohë krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2019, ky tregues u rrit me 2,1%.

Në tremujorin e dytë të vitit 2019, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës, për popullsinë 15-64 vjeç është 69,8%. Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2018, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 1,8 pikë përqindje më e lartë, ndërkohë krahasuar me tremujorin e mëparshëm ky tregues ka shënuar rritje prej 0,8 pikë përqindje.

Për gratë, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 61,9%, ndërsa për burrat ky tregues është 77,8%. Për burrat, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 15,9 pikë përqindje më e lartë sesa për gratë. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2018, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për gratë është rritur me 2,4 pikë përqindje dhe për burrat është rritur me 1,2 pikë përqindje.

Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2019, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç është 53,0%. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e dytë 2019, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 78,7%.

Punësimi, udhëheq turizmi

Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2019, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 61,4%. Ritmi vjetor i rritjes së punësimit për popullsinë 15 vjeç e lart, nga tremujori i dytë i vitit 2018 në tremujorin e dytë të vitit 2019, është 3,4%. Në terma vjetorë, rritja e punësimit sipas sektorëve kryesorë të ekonomisë është 4,4% në sektorin e industrisë, 5,7% në sektorin e shërbimeve dhe 0,3% në sektorin e bujqësisë. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, në tremujorin e dytë 2019, punësimi për popullsinë 15 vjeç e lart u rrit me 2,1%. Punësimi shënoi rritje në sektorin e shërbimeve me 2,3%, në sektorin e industrisë me 1,5% dhe në sektorin e bujqësisë me 2,2%.

Shkalla e punësimit për burrat është 68,4%, ndërsa për gratë 54,6%. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2018, shkalla e punësimit për burrat është rritur me 2,1 pikë përqindje dhe për gratë me 2,4 pikë përqindje. Shkalla e punësimit të të rinjve është 41,9%. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e dytë 2019, shkalla e punësimit është 71,8%.

Papunësia më e lartë për burrat

Në tremujorin e dytë 2019, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri është 11,5%. Në terma vjetorë, shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 0,9 pikë përqindje. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 0,6 pikë përqindje. Shkalla zyrtare e papunësisë për burrat është 11,6% dhe për gratë është 11,4%. Shkalla e papunësisë për gratë është 0,2 pikë përqindje më e ulët sesa për burrat. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2018, shkalla e papunësisë për burrat ka rënë me 1,3 pikë përqindje, ndërsa për gratë ka rënë me 0,4 pikë përqindje.

20,9 % papunësia ndër të rinj

Në terma vjetorë shkalla e papunësisë së të rinjve shfaq tendencë në rënie. Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2018, shkalla e papunësisë për të rinjtë në tremujorin e dytë të vitit 2019 është 1,7 pikë përqindje më e ulët. Krahasuar me tremujorin e parë 2019, shkalla e papunësisë për të rinjtë ka pësuar një rënie prej 1,3 pikë përqindje. Shkalla e papunësisë për grupmoshën 30-64 vjeç është 8,8%. Në terma vjetorë, ky tregues pësoi një rënie prej 0,8 pikë përqindje. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm për këtë grup-moshë shkalla e papunësisë u ul me 0,3 pikë përqindje.

17% e popullsisë jo aktive për punë

Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2019, 17,0% e popullsisë ekonomikisht jo-aktive dhe në moshë pune (15-64 vjeç) ishin duke përmbushur detyrat shtëpiake, 11,9% e saj ishte në pension ose pension të parakohshëm, ndërsa 12,3% në paaftësi të përhershme. Gjatë tremujorit të dytë 2019, 8,4% e popullsisë ekonomikisht jo-aktive (në grup-moshën 15-64 vjeç) deklaruan se nuk po kërkonin punë pasi besonin se nuk ka punë të disponueshme, pra klasifikohen si të papunë të dekurajuar.

Të rinjtë e moshës 15-29 vjeç që deklaruan se janë nxënës/studentë ose në trajnim përbëjnë 73,2% të të rinjve ekonomikisht jo-aktivë. Ndër të rinjtë e moshës 15-29 vjeç ekonomikisht jo-aktivë, 6,3 % klasifikohen si të papunë të dekurajuar. Në popullsinë e moshës 30-64 vjeç ky grup përbën 10,7 % të popullsisë ekonomikisht jo-aktive të kësaj grupmoshe.