Reklame:

Bota duhet te pershtatet me pasojat e pashmangshme te ndryshimeve klimatike

Bota duhet të përshpejtojë përgatitjet për pasojat e pashmangshme nga ndryshimet klimatike, përshtatje që përbën, përveç të tjerave, mundësi ekonomike,  thekson një komision ndërkombëtar i bashkëdrejtuar nga ish-sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Moon.

“Të përshtatesh tashmë”, titullohet studimi i Komisionit Global për Përshtatjen, i krijuar në vitin 2018 me iniciativë të Holandës dhe që i janë bashkuar 19 vende.

“Ne jemi gjenerata e fundit që mund të ndryshojë drejtimin e ndryshimeve klimatike dhe e para që do të jetojë me pasojat e tij”, deklaroi Ban Ki Moon gjatë prezantimit të raportit në Pekin.

Komisioni udhëhiqet nga ish-sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, themeluesi i Microsoft dhe aktivist për klimën, Bill Gates dhe shefja ekzekutive e Bankës Botërore, Kristalina Georgieva.

“Një përshtatje e mirorganizuar mund të sjellë një rritje të mirë dhe zhvillim, të shpëtojë jetë, të mbrojë natyrën dhe të krijojë mundësi”, sipas raportit.

“Veprimet për të ngadalësuar ndryshimet klimatike janë premtuese, por të pamjaftueshme. Ne duhet të investojmë në një përpjekje masive për t’u përshtatur me kushtet  tashmë të pashmangshme, rritjen e temperaturave, rritjen e nivelit të oqeaneve, stuhitë e forta”, thekson teksti.

Në raportin e publikuar Komisioni Global për Përshtatjen theksoi se investimi i 1,8 trilionë dollarëve në pesë fusha kryesore gjatë dekadës së ardhshme, mund të sjellë 7,1 trilionë dollarë përfitime ekonomike. (ATA)