Reklame:

Menaxhimi i mbetjeve – Me shume se nje milion shqiptare nuk marrin sherbim

Më shumë se një milionë shqiptarë nuk marrin asnjë shërbim të përpunimit të mbetjeve. Shifrat e Instat tregojnë se vitin e kaluar mbulimi i popullsisë me këto shërbime u përkeqësua ndjeshëm. Ky tregues ra në 65.7%, nga 68.9% që kishte qenë në vitin 2017. Kjo nënkupton se shërbimet e menaxhimit të mbetjeve përjashtojnë më shumë se një të tretën e popullsisë së Shqipërisë. Reforma territoriale synonte në thelb rritjen e eficiencës dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve vendore.

Fakti që një përqindje kaq e lartë e popullsisë nuk e merr shërbimin bazik të menaxhimit të mbetjeve është një tregues në vetvete mjaft domethënës. Sipas Instat, sasia e mbetjeve të menaxhuara vitin e kaluar u rrit me afërsisht 6%, por rritja erdhi kryesisht nga rritja e mbetjeve industriale që trajtohen së bashku me mbetjet urbane. Forma kryesore e trajtimit të mbetjeve urbane në Shqipëri ngelen landfillet, ku groposen më shumë se 76% e tyre. Kjo lidhet edhe me natyrën e mbetjeve urbane, që në 61% të totalit janë mbetje organike.

Ndërkohë, vetëm 18.5% e mbetjeve të prodhuara në vend riciklohen. Megjithëse përqindja e mbetjeve të ricikluara është rritur lehtë krahasuar me vitin 2017, ky tregues ngelet relativisht i ulët dhe larg nivelit më të lartë prej 25%, i regjistruar në vitin 2015. Gjatë vitit 2018 është regjistruar edhe një rritje e peshës specifike të mbetjeve që digjen për prodhim energjie. Ky tregues ka arritur në afërsisht 3% të totalit të mbetjeve urbane të menaxhuara.