Reklame:

Biznesi shqiptar i bimeve medicinale po demtohet nga ngrohja globale

Prej 8 vitesh me BioBes, Besnik Koçi ka prekur tregun ndërkombëtar duke eksportuar 85 produkte shqiptare; lule, rrënjë, gjethe e fruta, të cilat në 90% të tyre gjenden në formë të egër (spontane).

Ai bashkëpunon me 35 pika grumbullimi në të gjithë territorin e Shqipërisë, ndër të cilat 5 i ka në zotërim.

Koçi ka investuar gjithashtu në paisje bashkëkohore për linjat e tharjes dhe përpunimit të produkteve në fabrikat e tij.

Megjithëse ai e do sektorin dhe është i kënaqur nga zhvillimi i tij në Shqipëri dhe jashtë kufijëve (bimët mjekësore aromatike BMA është produkti i dytë më i eksportuar Made in Albania), bart me vete një sërë problematikash.

Përpos problematikave që janë në dorë të njeriut, më shpjegon Besnik Koçi, ndryshimet klimaterike globale po ndjehen edhe në vendin tonë, teksa klima ka qenë një favorizues i gjithmonshëm për këtë sektor.

“Ndryshime janë vënë re të paktën pesë vitet e fundit, por ky vit ka qenë fare i çuditshëm. Deri në maj temperaturat kanë qenë të ulta, shumë ftohtë, pastaj thatësirë. Kjo ndikon shumë për disa produkte tonat. Ne pesë pika grumbullimi i kemi në Tepelenë. Aty mbledhim lulen e Blirit se klima e zonës është shumë e favorshme për këtë bimë.

Është e përhapur në të gjithë zonën. Më parë teksa mbledhja niste nga maji deri në korrik, 40-90 ditë, me ndryshimet e klimës, këtë vit ne e mblodhëm blirin për 15-20 ditë. Dhe kjo sigurisht që ndikon edhe në aspektin sasior”- më sqaron ai.

Po ashtu, thotë ai e njëjta gjë ka ndodhur edhe me Sherebelin sepse nuk ka patur rreshje, e për rrjedhojë, sipas tij, kjo situatë reflekton edhe në eksport.

Por sipas biznesmenit dhe profesionistëve të tjerë të sektorit, deri tani nuk është e mundur të matet me shifra ndikimi i klimës në dëmtimin e kësaj veprimtarie, pasi janë edhe faktorë të tjerë nga të cilët sektori kërcënohet, një prej të cilave është emigracioni që ka sjellë si pasojë zbrazjen e fshatrave.

Shqipëria me një sipërfaqe relativisht të vogël, në krahasim me vendet e tjera të rajonit, bart një potencial shumë të lartë të bimëve mjekësore dhe aromatike. Kushtet e përshtatshme klimateriko-tokësore në të cilat ndodhet Shqipëria kanë mundësuar gjithmonë rritjen e mbi 310 specieve me vlera të larta mjekësore dhe aromatike.

Pjesa më e madhe e kapacitetit të BMA-e të Shqipërisë (rreth 90%) gjenden në gjendje spontane (të egër), gjë e cila bën që dhe cilësia e vlerave mjekësore apo aromatike që ato përmbajnë të jetë më e lartë në krahasim me vendet e tjera të rajonit.

Raporti i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit për monitorimin e biodiversitetit në Shqipëri, thotë se vendi ynë ka tokë të përshtatshme dhe të sigurt për aktivitet bujqësor. Të dhënat konfirmojnë përshtatshmërinë e tokave për një shumëllojshmëri kulturash në vartësi dhe të kushteve klimaterike. Por gjithashtu, fermerët duhet të tregohen të kujdesshëm për bimët që mbjellin dhe sasinë e tyre, duke mos ndikuar kështu në degradimin e tokës në një të ardhme.

Të dhënat tregojnë se rrezikojmë të humbim disa bimë aromatiko–mjekësore të shpërndara në të gjithë territorin e vendit tonë, si:

Salep, (Orchis. Ssp) dhe Xhirokull, (Calchicum automnale) në qarkun e Gjirokastrës (Këlcyrë dhe Përmet) në qarkun e Vlorës ( Vlorë dhe Delvinë) dhe në Durrës

Boronica ( Vaçinium nigrillus) në qarkun Kukës (Kukës dhe Tropojë) dhe Dibër (Bulqizë).

Çaji i Malit ne Korçë (Prespe) dhe Gjirokastër (Dropull)

Sherbelës (Salvia officinalis) në qarkun Gjirokastër, Vlorë, Shkodër, Korçë (bashkia Kolonjë) dhe në qarkun Dibër (Bashkia Bulqizë).

Sipas vëzhgimeve impaktet negative të shkaktuara si nga katastrofat e ndryshme natyrore apo nga faktori “njeri” mbi bimësinë aromatiko-mjekësore, nuk shkaktohen vetëm në fushën e biodiversitetit dhe mjedisit natyror, por edhe në fushën e ekonomisë, pasi siç dihet eksportimi i bimëve aromatiko-mjekësore luan një rol mjaft të madh dhe sjell të ardhura për një pjesë të popullsisë dhe të ekonomisë së vendit. Nisur nga rezultatet e monitorimit të bimëve aromatiko-mjekësore të kryer gjatë vitit 2018, ekspertët kanë arritur në konkluzionin se kjo kategori e bimëve me interes si biologjik ashtu dhe ekonomik, janë nën një presion të vazhdueshëm deri në kërcënim zhdukjeje.

Arsenali më i madh i shtrirjes së bimëve medicinal aromatike ndodhet në pjesën e Alpeve Shqiptare (Tropojë, Shkodër, Pukë, Kukës, etj), malin e Korabit (Dibër), vargmalin e Skënderbeut (Mat, Krujë, Tiranë), vargmalin Trebeshinë-Dhëmbël-Nemërçë (Gjirokastër, Përmet, Tepelenë, etj), malësinë e Mokrës (Pogradec, Korçë), Gramoz (Ersekë), Tomorr (Berat), etj.

Ndërsa kultivimi i BMA-e ka ardhur vazhdimisht në rritje dhe zonat me sipërfaqe më të madhe të kultivimit të BMA-e janë në Malësinë e Madhe, Kukës, Vlorë, Korçë, Gjirokastër,
Sarandë, etj.

Aktiviteti i mbledhjes, grumbullimit, përpunimit dhe eksportimit të BMA-e ka luajtur dhe luan një rol të rëndësishëm në gjenerimin e një përqindje të konsiderueshme të ardhurash në zonat rurale të Shqipërisë. Për këtë arsye ky aktivitet është ushtruar vazhdimisht në Shqipëri si para vitit 1990 ashtu dhe në ditët e sotme. Tregu kryesor i shitjes së BMA-e është tregu i huaj, por një vend të rëndësishëm zë edhe tregu i brendshëm. (Gazetasi)