Reklame:

“Ngerçi” i çmimeve – Rritje e dobet edhe ne indeksin e harmonizuar

Indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit është ngadalësuar ndjeshëm. Sipas Instat, për gushtin ky indeks u rrit me 1.4% me bazë vjetore, duke qëndruar në të njëjtin nivel me normën e brendshme të inflacionit.

Ky indeks synon të japë ecurinë krahasuese të çmimeve me vendet e Bashkimit Europian. Statistikat tregojnë se rritja e indeksit të harmonizuar të çmimeve ka ardhur kryesisht nga ushqimet dhe shërbimet e hotelerisë, restoranteve dhe kafeneve. Grupi i ushqimeve historikisht ka qenë kontribuesi kryesor në rritjen e indeksit të harmonizuar të çmimeve.

Për gushtin, ai kontribuoi me pothuajse 70% në rritjen e indeksit të harmonizuar të çmimeve. Ndërkohë, afro 25% e ndikimit në rritjen e këtij treguesi e dha sektori i hotelerisë, bareve dhe restoranteve, me 0.34 pikë përqindje.

Rritja e çmimeve në këtë grupi mund t’i atribuohet shtrenjtimit të shërbimeve të lidhura me turizmin, ku kërkesa duket në rritje, vit pas viti. Grupet e tjera të mallrave dhe të shërbimeve kanë dhënë një ndikim pothuajse të papërfillshëm në rritjen e çmimeve.

Mbështetur në metodologjinë e përdorur nga Instat, indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit përfshin shpenzimet e bëra brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, si dhe shpenzimet e vizitorëve, ndërsa indeksi i çmimeve të konsumit mbulon vetëm shpenzimet private të familjeve shqiptare të kryera brenda dhe jashtë vendit. (SCAN)