Reklame:

Teknikat per vjeljen e rrushit per vere dhe per tavoline

Vjelja e rrushit bëhet kur kokrrat në veshule janë të pjekura. Vjelja në përputhje me fazën e pjekurisë varet nga kultivari dhe destinacioni i prodhimit. Zakonisht në praktikë vjelja e rrushit bëhet me destinacion për konsum të freskët dhe për përpunim.

ORGANIZIMI I VJELJES SË RRUSHIT PËR TAVOLINE
Përcaktimi i shkallës së pjekjes dhe vjelja e rrushit në momentin më të përshtatshëm, janë operacione vendimtare për cilësinë dhe vlerën tregëtare të prodhimit. Nevoja për një kontroll të rrepet të shkallës së pjekjes tregëtare lidhet me rrezikun e abuzimeve që mund të bëhen në praktikë. Vetëkuptohet, abuzimet lindin nga synimi që rrushi i hershëm të hidhet sa më shpejt në treg me qëllim marrjen e çmimit më të lartë, madje qoftë kjo edhe disa ditë më parë.
Ne lidhje me pjekurinë e rrushit, vreshtari duhet ta ketë të qar të se frutat e rrushit të papjekura mirë, mbas shkëputjes nga hardhia, nuk e vazhdojnë proçesin e pjekjes sikurse e vërejmë te disa pemë frutore si: molla, dardha, hurma, e shumë të tjera. Në përgjithësi, kultivarët e rrushit të tavolinës, mund të pranohen në treg vetëm atëhere kur ata të kenë grumbulluar të paktën 14% sheqer dhe të kenë aciditet jo më të lartë së 7-8 gr/liter (i shprehur në acid tartrik). Sidoqoftë, vjelja e rrushit për konsum të freskët, i përgjigjet më mirë kërkesave të tregut, kur rrushi grumbullon 15-16% sheqer dhe aciditet jo më të lartë se 6 gr/l acid tartrik.

Kultivarët e rrushit me pjekje:

1) Shumë të hershëm si; Perla di Ksaba, Mbretëresha e Vreshtave, Kardinal, Bllak – Mexhik, Viktoria, Matilda, etj), mund të vilen edhe atëhere kur përmbajtja e sheqerit është në vlera të ulëta.

2) Kultivarët me pjekje të mesme ose të vonë si; Afuzali, Italia, Muskat Hamburgu, Muskat i Aleksandrise, Alfons, Lavalle, etj, përkundrazi ato duhet të vilen në fazën kur në veshulet e tyre të kenë grumbulluar vlera sa më të larta të sheqerit.

 TEKNIKAT PËR SHPEJTIMIN E KOHËS SË VJELJES

Për të përshpejtuar disi kohën e vjeljes vreshtaret duhet të marrin disa masa, nga të cilat janë:
1) Zgjidhen kultivarë rrushi me pjekje të herëshme, si; Kardinal, Matilda, Muskat i Aleksandrie, Black Magic, etj.
2) Hardhiet lehtësohen nga ngarkesat e tepërta me lulëri apo veshulë, sepse mbingarkesa sjell kurdoherë vonim e pjekjes.
3) Me anë të unazimit të lastarit ose përdorimit të preparateve harmonal të posaçme për këtë qëllim. Këto preparate në shumicën e rasteve duhet të kryhen menjëherë pas lulëzimit.

4) Mbulimi i hardhive me mbulesa plastike në formë tuneli apo serre qysh në fazën e fillimit të lëvizjes së lëngjeve në pranverë (Shkurt). Kjo masë shkurton periudhën e pjekjes dhe shpejton vjeljen në rreth 2 javë.
Përveç masave për shpejtimin e pjekjes, me qëllim marrjen e çmimit sa më të lartë, vreshtaret duhet të synojne edhe për vonimin e pjekjes, sepse edhe në pjekjet e vona çmimet janë më të larta.

TEKNIKAT PËR VONIMIN E KOHËS SË VJELJES
Për vonimin e pjekjes së rrushit duhet të merren këto masa agroteknike:
1) Mbulimi i hardhive me plastmas gjatë muajit Gusht, përpara fillimit të shirave ose fillimi të rënies masive të vesës. Suksesi i mbulimit sigurohet vetëm atëhere kur përzgjidhen kultivarë me pjekje krahasimisht të vonët si: Afuzali, Tajkë e Kuqe, Red Glob, Alfons, Lavale, Italia, etj. Nuk ka me kuptim nëse nën këto masa agroteknike futen kultivarë të hershëm.
2) Lënia e ngarkesave më të mëdha me rrush. Rrallimet pothuajse nuk realizohen fare ose shumë pak.
3) Realizohen ujitje të shpeshta me qëllim vazhdimin e vegjetacionit dhe rritjes së llastarëve.
4) Plehërimi azotik duhet të bëhet i vonuar dhe në doza relativisht të larta. Kjo ndihmon në shpërthimin e vegjetacionit dhe vonimin e pjekjes.
5) Zgjedhja e fidanëve me nënshartesa tip Berlandieri Rupestris ose në nënshartesat e tjera si: 33-09, 101-14, 110-R, 140-R, 775-P, 1103-P, etj, të cilat kanë aftësi të shkojnë sa më thellë në tokë dhe t’i sigurojnë mbishartesave një ushqim të bollshem.
6) Gjatë mbulimit bëhet kujdes për ajrimin e tunelit, luftimin e kalbëzimit dhe mënjanimin e kokrrave të dëmtuara.
Sipas ketyre aplikimeve, vonimi i pjekjes së prodhimit mund të shkoje në rreth 40-50 ditë pas afateve normale të vjeljes (afërsisht periudha Nëntor-Dhjetor).

MËNYRAT E VJELJES DHE TË AMBALAZHIMIT
Vjelja e rrushit për treg duhet të bëhet në 2-3 duar. Kjo bëhet duke i zgjedhur çdo herë veshulet e pjekura më mirë. Gjatë vjeljes bëhet kujdes që veshulet të mos kapen me dorë pas kokrrave, por vetëm pas bishtit, duke i prerë me gershere dhe duke i vendosur ato vetëm në arka (plastike apo druri) dhe gjithmone me bishtin përpjetë.

Menjëherë pas vjeljes rrushi transportohet në vëndin ku bëhet pastrimi i veshulit nga kokrrat e dëmtuara, të sëmura, të papjekura, etj. Gjatë seleksionimit veshuli kapet gjithmonë pas bishtit me qëllim që kokrrave të mos ju hiqet mbulesa dyllore që quhet “pruinë”. Veshulët e seleksionuar vendosen në arkat e transportit të cilat mund të jenë prej druri, kartoni ose plastike

ORGANIZIMI I VJELJES SË RRUSHIT PËR PËRPUNIM NË VERË
Rrushi i hardhive të destinuara për verë, kurdoherë duhet të vilet në fazën e pjekjes së plotë. Në këtë fazë ashtu siç kuptohet rëndom, është momenti kur prodhimi ka grumbulluar sasinë më të madhe të sheqerit. Por kjo mënyrë, për disa lloj verërash (si: shampanjë, verë e bardhë e zakonëshme, etj) nuk është kurdoherë e nevojshme.

Kështu, për prodhimin e verërave cilësore, kërkohet që vjelja e rrushit të bëhet jo vetëm kur ai ka arrirë të grumbullojë sasinë e madhe të sheqerit, por sidomos kur arrin një raport të caktuar në mes sheqerit dhe aciditetit. Ky raport quhet “treguesi i pjekjes” dhe ka shumë rëndësi sipër kushtet e zonave të ngrohta e bregdetare të vëndit ashtu dhe për në zonat e ftohta.
Praktikisht në zonat e ngrohta bregdetare, rrushi me destinacion për verë duhet të vilet në momentin kur krahas përmbajtjes së lartë në sheqer (ne vlerat 22-24% sheqer për verën e kuqe dhe 18-22% për verën e bardhë), të ketë edhe një nivel të kënaqshëm të aciditetit në vlerat 6-7 gr/l të mushtit të rrushit (i rëndësishëm është sasia e acidit tartrik), i cili është i domosdoshëm për prodhimin e verës harmonike dhe të qëndrueshme.
Për përcaktimin e momentit më të përshtatshëm për vjelje, zakomisht bëhen vrojtime dhe analiza të mushtit të rrushit me refraktometër ose mushtometër fushor. Kur rrushi i zi fillon të nxihet dhe të marrë ëmbëlsirën e duhur dhe rrushi i bardhë fillon të zbutet dhe cipa të zverdhet, analizat bëhen çdo 5-6 ditë. Kur ëmbëlsira fillon të rritet ndjeshëm, atëhere analizat fillojnë të bëhen pas çdo 2-3 ditësh. Ndërsa kur vërehet se përmbajtja e sheqerit në musht nuk ndryshon me për 2-3 ditë rradhazi, atëhere është koha më e përshtatshme për të filluar vjeljen.

TEKNIKA E VJELJES SË RRUSHIT PËR VERË
Këshillohet që vjelja e rrushit për verë të bëhet në 2-3 duar. Gjithmonë në fillim vilet rrushi më i pjekur dhe ai që rrezikohet të dëmtohet. Vjelja bëhet me gërshërë duke prerë bishtat sa më shkurt, me qëllim që përmbajtja e bishtit dhe e mbeturinave të tjera bimore të mos ndikojnë në cilësinë e verave.

Rrush i vjelur me mjete mekanike
Rrush i vjelur me mjete mekanike

Gjatë vjeljes bëhet seleksionimi i tij në dy kategori:
i) Në kategorinë e parë bëjnë pjesë veshulet e pjekur shumë mirë, pa dëmtime dhe pa sëmundje.
ii) Në kategorinë e dytë bëjnë pjesë veshulet e dëmtuar, të ndotur me balte ose të prekura nga sëmundjet (sidomos nga kalbëzimi i thatë).
Sejcila kategori vendoset në arka të veçanta. Për ta realisuar këtë kategorizim, është e rëndësishme që vjelësi para se të fillojë këtë proces, në të njëjtën kohë duhet të ketë me vehte dy arka. Organizimi i vjeljes bëhet sipas një plani kalendarik për çdo kultivar dhe për çdo zonë më vehte.

Kjo bëhet me qëllim që vjelja të bëhet sa më e plotë dhe e njëkohëshme për të njëjtin kultivar ose grup kultivarësh që do të përpunohen njëherësh. Vjelja bëhet në mëngjes herët në së ditët janë të nxehta dhe me diell. Rrushi i vjelë të dërgohet menjëherë në kantinë për përpunim.
Ne sipërfaqe të mëdha vreshtash ku vjelja nuk ka mundësi të bëhet me më dore, ajo realizohet me anë të mjeteve mekanike. Atëhere në këto raste është e keshillueshme që para se të filloi vjelja me mjete mekanike, të bëhet një kontroll dhe një pastrim paraprak i veshulëve që nuk i përgjigjen treguesve për përpunim.

TEKNIKA E RUAJTJES SË RRUSHIT TË VJELUR PËR VERË
Rrushi i caktuar për verë, menjëherë dhe sa më shpejt pas vjeljes duhet të dërgohet në kantinë për përpunim. Kjo bëhet me qëllim që veshulet të mos dëmtohen dhe preken nga sëmundjet kërpudhore, të mos humbin lëngun dhe të mos fillojnë fermentimin e pakontrolluar para kohe.

Në raste kur sezoni i vjeljes vjen me shira dhe rrushi gjatë vjeljes rezulton me kalbje apo i lagur nga reshjet, atëhere pas vjeljes këshillohet që të bëhet menjëherë sulfitimi me gaz sulfuror.

Ky proces bëhet në lokale të mbyllura pranë kantinës. Por ka edhe raste të veçanta, kur si pasojë e stinës së verës me rreshje e dëmtime të shumta nga vrugu e hiri, hardhiet shpesh herë zhvishen nga masa gjethore. Në këtë rast veshulet dhe kokrrat e rrushit, mbeten të papjekura mirë.
Ne këtë rast vreshtaret detyrohen të bëjmë trajtime të posaçme mënjëherë pas vjeljes dhe përpara se të fillojë përpunimi për verë.

Praktikisht ky trajtim synon në tharjen e drejtuar të rrushit, e cila pas ketij procesi rrushi vjen me humbjen e një pjesë të ujit në kokërr dhe rritjen deri diku të përmbajtjes së sheqerit në musht.
Për ta realizuar sa më mirë këtë proces, rrushi vendoset në tenda ose rafte në streh ose lokal të mbuluara me tunel plastmasi ose dhoma me temperaturë dhe lagështi të kushtëzuar. Temperatura duhet të mbahet deri në 350C dhe lagështira ajrore jo më të lartë së 50%.

Në kushte të tilla kokrrat e rrushit rrisin veprimtarinë e frymëmarrjes dhe shtojnë avullimin e ujit nga lëngu. Koha e qëndrimit në tharje varet nga niveli i sheqerit sa duam të arrijmë në mushtin e rrushit përpara së ky të futet në përpunim për verë.