Reklame:

Kosove: Bien prodhimet bimore dhe blegtorale

Prodhimet bimore dhe blegtorale për vitin 2018 krahasuar me vitin 2017 ka shënuar rënie për 2.6 për qind, thuhet në raportin  “Llogaritë Ekonomike në Bujqësi” të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) për vitin 2018

Sipas ASK-së në vitin 2018, prodhimet bimore kanë shënuar rënie për (-3.8%), krahasuar me vitin 2017. Rënia në vlerën e prodhimeve bimore mund të shpjegohet kryesisht me rënien e prodhimit të perimeve dhe prodhimeve të kopshtit, si dhe të patateve.

Kurse, prodhimet blegtorale po ashtu kanë shënuar rënie për (-0.9%) në vitin 2018, krahasuar me vitin 2017. Rënia mund të shpjegohet me rënien e vlerës së produkteve blegtorale.

Ndërkaq konsumi i ndërmjetëm është vlerësuar gjithsej rreth 302.0 milionë Euro në vitin 2018, që paraqet një rritje prej 10.6%, në krahasim me vitin 2017.

“Llogaritë Ekonomike në Bujqësi 2018 janë hartuar sipas metodologjisë së përcaktuar nga Eurostati: Udhëzuesi i Llogarive Ekonomike për Bujqësi dhe Pylltari EAA/EAF 97 (Rev.1.1) dhe Rregullorja e Komisionit (KE) Nr. 306/2005”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

Ky publikim përfshin të dhëna për prodhimet bimore, prodhimet blegtorale dhe shpenzimet në fermë, në terma monetarë. Vlerat janë prezantuar me çmimet e prodhimit, çmimet aktuale dhe konstante