Reklame:

Statistika interesante: Çfare eshte mbjelle ne token e Kosoves brenda ketij viti

Tokat që deri dje i lenin djerrinë qytetarët e Kosovës kanë filluar t’i punojnë. Ndikim në këtë duket se ka pasur paralajmërimi i Ministrisë së Bujqësisë për tatim në tokat bujqësore që nuk punohen. Vetëm gjatë pranverës, ata kanë mbjellë rreth 76 mijë hektarë tokë me kultura bujqësore. Sipas statistikave të Ministrisë së Bujqësisë, kulturat që janë mbjellë më shumë janë gruri, misri, fasulja dhe perimet.

Qytetarët e Kosovës kanë filluar të iu kthehen tokave bujqësore. Edhe këtë vit tokat e Kosovës janë mbjellë me kokrra të dridhmave.
Hapësirën më të madhe të tokës se punuar e kanë zënë misri e gruri, e deri tash janë mbjellë me kultura bujqësore rreth 110 mijë hektarë tokë.
Në Ministrinë e Bujqësisë kanë treguar se gjatë pranverës kulturat bujqësore kanë zënë afër 76 mijë hektarë tokë në gjithë vendin.
Hapësirën më të madhe të tokës së punuar e kanë zënë drithërat. Sipas statistikave të MBPZHR-së, rreth 60 mijë hektarë tokëjanë mbjellë vetëm me grurë, elb dhe thekër.
Përveç drithërave, qytetarët e Kosovës këtë vit kanë ndarë goxha tokë edhe për misër e fasule. Vetëm me këto dy kultura janë mbjellë rreth 45 mijë hektarë tokë.
Pjesa tjetër e tokës është mbjellë edhe me elb pranveror, tërshër, bimë industriale, perime në serra, perime në fusha të hapura dhe patate.
Komunat në të cilat janë realizuar më shumë mbjellje këtë vit janë Klina, Podujeva, Peja, Skenderaj, Mitrovica, Vushtrria, Vitia, Ferizaj, Prizreni e Lipjani. Ndërkohë, më pak interesim për të kultivuar tokën bujqësore kanë shprehur banorët e kryeqytetit, Kaçanikut, Shtimes e Dragashit.
Ndërkohë, në bazë të regjistrimit të bujqësisë të realizuar në 2014-ën, toka më së shumti punohet në Prishtinë, pasuar nga Mitrovica dhe Peja, derisa kulturat bujqësore që kultivohen më së shumti nga kosovarët ishin drithërat, bimët farogjere, perimet e kultura të tjera.
Ndryshe, që nga viti i ardhshëm kosovarëve do t’iu duhet të zgjedhin nëse duan t’i punojnë tokat ose të paguajnë për to.
Në Ministrinë e Bujqësisë kanë deklaruar se të gjithë qytetarët të cilët nuk punojnë apo kultivojnë tokat bujqësore, nga fillimi i vitit 2020 do të duhet të paguajnë tatim ekstra në pronë.
Niveli i taksave për çdo kategori të tokës bujqësore do të përcaktohet nëpër komuna veç e veç në bazë të vlerës së tokës dhe lokacionit të saj.
“Tatimi në pronën e paluajtshme nuk vendoset mbi njësitë e kultivuara bujqësore të parcelave. Pra, tatimi vendoset për tokat bujqësore, të cilat nuk kultivohen, respektivisht punohen. Tatimi mbi tokat bujqësore planifikohet të fillojë në vitin 2020”, thuhej në përgjigjet e Ministrisë.
Kundër këtij projekti kishin dalë në Shoqatën e Bujqve. Ata kishin deklaruar se projekti i financuar nga Suedia për të vënë tatim mbi tokat bujqësore, për qytetarët e Kosovës, është i gabuar.
Sipas Shoqatës së Bujqve mbi 60 për qind e tokave bujqësore nuk punohen edhe për arsye migrimi.
Ndryshe në Kosovë, sipas Regjistrimit të Bujqësisë, të realizuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikuar në muajin mars të vitit 2015 sipërfaqja e tokës bujqësore është gjithsej 512 000.29 hektarë. Ndërkaq, ekonomitë bujqësore në Kosovë shfrytëzojnë gjithsej 413 635 hektarë tokë bujqësore.