Dihet që kërkesat e bimëve për elementë ushqyes janë të ndryshme për bimë të ndryshme dhe po kaq të ndryshme janë dhe për fazat të ndryshme të zhvillimit të tyre.
Për të patur sukses në kultivimin e bimëve në mjedise të mbrojtura, një rol të rëndësishëm madje vendimtar në arritjen e prodhimeve të kërkuara, luajn edhe përcaktimi dhe plotësimi i nevojave të bimëve për elementë ushqyes.
Bimët që kultivohen në serra, janë shumë kërkuese ndaj elementëve ushqimore dhe mosplotësimi në kohën, sasinë dhe cilësinë e duhur, ndikon direkt në sasinë dhe cilësinë e prodhimit.
Kjo është e lidhur jo vetëm në aftësinë ulët të tyre për ti asimiluar këto elementë, por dhe me rendimentet relativisht të larta që merren nga këto bime nëpër këto mjedise.
Plehërimi në sera duhet të synoje ushqimin e ekuilibruar të bimës, me qëllim që ato të kenë një rritje dhe zhvillim sa më të harmonizuar në mes rritjes dhe frutifikimit.
Por në të njëjtën kohë mënyra dhe teknika e plehërimit, nuk duhet të lejoje që bimët në serrë të rriten “dembele”, por të favorizojnë një rritje të fuqishme dhe futjen sa më thellë në tokë të sistemit rrënjor, në mënyrë që bima të shfrytëzoje sa më mirë ujin dhe elementët ushqimore që ka vetë toka.
Në përcaktimin e dozave optimale të plehërimit të bimëve në serra, duhet tu pergjigjemi më parë disa pyetjeve që kemi të bëjmë me këtë problem:
i) Sa plehëra do të përdoren?
ii) Kur duhet të përdoren?
iii) Si të përdoren?, etj.
Këtyre tre ose më shumë pyetjeve, kultivuesit duhet t’i “pergjigjen” me kujdes dhe pergjigjet të jenë në përputhje me kërkesat e çdo bime që kultivohet në mjedise të mbrojtura.
Për të përcaktuar se sa plehëra duhen për t’u përdorur për një bimë të cakuar, në radhë të parë bëhet bilanci i elementëve ushqimore.
Kjo bëhet duke u nisur nga nevojat e bimës për të prodhuar 100 kg fruta dhe në bazë të saj të gjithë sasinë e prodhimit të parashikuar për të marre, dhe sasinë e elementëve ushqimore që toka i vë në dispozicion bimës.
Diferenca në mes tyre mbetet të plotësohet me plehëra organiko-minerale, nëpërmjet plehërimit bazë, shoqërues dhe plotësues.
Gjithësesi në teknikën e plehërimit duhet të mbahen parasysh edhe një serë faktorësh të tjerë, ndër të cilët mund të përmendim:
1) Përqëndrimi i lartë i kriprave që vjen si rezultat i përdorimit të njëanshëm dhe me doza të larta të plehërave kimike, ndikon në uljen e dinamikes së rritjes së bimëve. Ky fenomen shfaqet ndjeshëm sidomos në tokat që janë të varfra në lëndë organike. Ndërsa në ato toka ku lenda organike gjëndet në sasi normale, ky fenomen është më pak i dukshem.
2) Nëqoftëse plehërojme vetëm me makroelementë, sidomos në serra ku rendimentet e bimëve janë të larta dhe lemë pas dorë përdorimin e plehërave me mikroelementë, do të shkaktojme vështirësi të pakapercyeshme jo vetëm në rritjen dhe zhvillimin normal të bimëve, por dhe në uljen e rezistencës së përgjithshme të bimëve ndaj prekjes së sëmundjeve dhe marrjen e prodhimeve me cilësi të ulët.
3) Në thithjen sa më të mirë të elementëve ushqimore nga bimët, një rol të rëndësishëm luan temperatura e tokës dhe prania në të e një lagështie në parametra optimale. Në këtë drejtim rol të rëndësishëm luajnë edhe faktorët e tjerë mikroklimaterik në këto mjedise si: temperatura e ajrit, drita, CO2, e të tjerë.