Reklame:

Matrikulla per kafshet falas – Ministri: Po bejme gati edhe nje skeme per nafte pa taksa nga fermeret

Gjatë bashkëbisedimit me fermerët në Fier, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, ka bërë të ditur është duke u përpiluar një skemë e re për marrjen e naftës pa taksa. Ai solli shembullin e lehtësisë që është krijuar me naftën për sektorin e peshkimit, duke theksuar se në fakt këtu është më i lehtë kontrolli pasi janë pak pika furnizimi dhe rrjedhimisht nuk ka abuzim.

“Kam nisur një projekt që unë besoj se do na çojë shumë shpejt tek lehtësitë për marrjen e naftës nga fermerët të zhveshur nga taksat. Është e rëndësishme që ne të ngremë infrastrukturën që këtë ta bëjmë dhe ta kemi të kontrollueshme për të mos lejuar abuzimin. Me shpresë vitin tjetër do ta paraqesim në qeveri për të marrë pastaj një vendim”, tha ministri Çuçi.

Duke iu përgjigjur shqetësimit të fermerëve për matrikullimin e bagëtive, Ministri tha se shërbimi veterinar do të kontrollohet plotësisht nga shteti dhe matrikullat do të jenë falas. Sipas tij ligji i ri do të shkojë shumë shpejt në Parlament.

Duke iu referuar dokumentacionit për aplikimin në fondet e mbështetjes së fermerëve, ministri u shpreh se procedurat janë thjeshtuar në maksimum.

Sa i përket çështjes së pronave, ministri Çuçi përmendi ligjin e ri që është përgatitur për të adresuar këtë problem, ligj i cili po shqyrtohet edhe nga Komisioni i Venecias.