Jo shumë larg në të shkuarën, marrja e një recete për ilaç të bazuar në tetrahidrokanabinol (THC), që është përbërësi psikoaktiv i kanabisit, ka qenë thuajse e pamundur. Qeveria britanike, në Shkurt 2018, nuk ndryshoi qasjen që ka mbajtur prej mbi 50 vitesh, duke thënë se kanabisi nuk ka vlera mjekësore, pavarësisht se vendi e rrit dhe eksporton bimën për përdorim mjekësor.
Megjithatë, pak muaj më vonë, vendi bëri një kthesë të papritur, duke pranuar se Kanabis Sativa ka vlera për përdorim mjekësor. Organet ligjvënëse në të gjitë botën po ndryshojnë mendje në mënyrë të ngjashme, ç’ka hap mundësinë për legalizimin e gjerë të bimës. Historia ka treguar se pasi kanabisi mjekësor lejohet, hapi i radhës është përdorimi rekreativ.
Njerëzit kanë shfrytëzuar Kanabis Sativa për mijëra vite dhe përdorimi mjekësor daton që në shekullin e 4. Megjithatë, ashtu si me barnat e tjera rekreative, përdorimi i kanabisit u përball me kufizime gjatë gjysmës së parë të shekullit të 20. Përphapja e frikës në publik ishte diçka e zakonshme. Në nisje të shekullit 20, John Warnock, një mjek britanik në Egjipt, sugjeroi se kanabisi kishte shkaktuar rritje të krimit dhe sëmundjeve mendore në vend.
Kur Lidhja e Kombeve u takua n vitin 1924 për të diskutuar lëndët narkotike si opiumin dhe heroinën, prova e tij për rreziqet e kanabisit fitoi influencë. Megjithatë, metodologjia e tij ishte e dyshimtë, pasi të dhënat ishin mbledhur vetëm nga pacientët në Departamentin Egjiptian të Sëmundjeve Mendore , ai nuk fliste gjuhën arabe dhe mënyra e të përcaktuarit nëse pacientët ishin përdorues çalonte.
Hulumtimet e bimës
Më vonë, në vitet 30’, Amerika u përball me një peng moral, pasi kanabisi akuzohej se nxiste dhunën te emigrantët meksikanë dhe korruptonte fëmijët amerikanë. Kur u krijua Konventa Mbi Lëndët Narkotike në vitin 1961 brenda Organizatës së Kombeve të Bashkuara, përdorimi i kanabisit në mjekësinë tradicionale u injorua. Atëherë, mendohej se kishte vlera të limituara terapeutike dhe trajtohej si drogë e rrezikshme, ashtu si heroina. Brenda bimës ekzistojnë kimikate që quhen kanabinoidet, të ngjashme me molekulat që prodhohen nga trupi i njeriut që njihen si endokanabinoidet.
Një rrjet i gjerë i receptorëve në trupin dhe trurin e njëriut reagojnë ndaj bimës dhe këtyre molekulave. Sistemi endokanabinoid i trupit rregullon reagimin ndaj dhimbjes, humorit, oreksit, stresit, gjumit dhe kujtesës. Deri më tani, 144 kanabinoide të ndryshëm janë zbuluar te Canabis Sativa dhe shumica e tyre nuk dihet se çfarë funksioni kanë. Ndër këto, më të njohurat janë tetrahidrokanabinoli (THC), përbërësi që të sjell në qejf, dhe kanabidioli (CBD), që po përdoret gjithnjë e më shumë si suplement ushqimor. Traktatet e barnave kanë ndaluar ashpër hulumtimet për kanabisin.
Megjithatë, testet nëpër klinika kanë treguar efikasitetin e bimës për të trajtuar; dhimbjen e muskujve në sklerozën e shumëfishtë, epilepsinë rezistente ndaj trajtimit dhe dhimbjeve kronike tek të rriturit. Kanabisi është bërë gjithnjë e më popullor që prej krijimit të Konventës dhe traktateve të kontrollit të barnave që ndoqën më vonë. Kanabisi është droga me prodhimin dhe përdorimin më të madh. Në vitin 2017, prodhohej në thuajse të gjithë vendet e botës. Vlerësimet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara tregojnë se numri i përdoruesve arrin në 188 milionë, nga totali prej 271 milionë që marrin lëndë narkotike.
Perfitimet dhe rreziqet e legalizimit
Megjithatë, kanabisi nuk vjen pa rreziqe. Pavarësisht se mbidoza me të është thuajse e pamundur, një në dhjetë persona krijojnë varësi. Në doza të larta dhe përdorim afat-gjatë, ekziston rreziku i psikozës. Tek adoleshentët ekziston gjithashtu rreziku i zhvillimit të ngadaltë të trurit. Por, duke marrë parasysh sasinë gjigante që konsumohet për qejf, rastet e dëmeve bëhet jashtëzakonisht të vogla.
Numri i vendeve që po legalizojnë kanabisin mjekësor po vjen gjithnjë e në rritje, duke prekur 30 deri më tani. Në Amerikën e Veriut dhe të Jugut, përdorimi mjekësor është ndjekur nga pranimi i përdorimit rekreativ. Disa vende europiane kanë adaptuar gjithashtu ligjet për të dyja llojet e përdorimit. Megjithatë, Gjermania, Franca dhe Britania, kanë pranuar fillimisht kanabisin mjekësor.
Kjo e fundit detyron qeveritë që të ndërtojnë struktura rregullatore për të kontrolluar furnizimin ligjor ndaj pacientëve. Pasi kjo të ndodh, përdorimi rekreativ duket më i thjeshtë për shoqeritë.
Kur gjyshja nis të pijë “bar” për të ulur dhimbjet e artritit, atëherë kjo drogë është përhapur gjerësisht. Ekzistojnë gjithashtu argumente të tjerë që janë bindës për legalizimin e plotë, si pabarazitë racore në ndjekjet penale, kostot e mëdha sociale dhe ligjore në kriminalizimin e shumë përdoruesve, si dhe fitimet e taksat që një industri ligjore mund të gjenerojë. Megjithatë, vuajtja e pacientëve duket se ka më shumë peshë politike në krahasim me argumentet e liberalizuesve. Në Amerikë, 33 shtete lejojnë përdorimin mjekësor dhe 11 kanë legalizuar përdorimin rekreativ.
Shumica e njerzve favorizojnë legalizimin federal. Deri në vitin 2024, kanabisi mjekësor do të jetë i ligjshëm në të gjitha shtetet dhe përdorimi rekreativ, në thuajse gjysmën, sipas “Arcview Market Research” dhe “BDS Analytics”, firma që monitorojnë biznesin e kanabisit.
Ndryshimi i qasjes në të gjithë botën
Përdorimi mjekësor po përhapet shpejtë edhe në Amerikën Latine dhe është ligjor aktualisht në Argjentinë, Kolumbi, Meksikë, Kili, Peru, Xhamaja dhe Uruguai. Disa Qeveri dhe sigurues të shëndetit, do të mbulojnë recetat e kanabisit. Thuajse 16,000 pacientë gjermanë marrin kanabis kryesisht për dhimbje kronike dhe spasticitet, ndërkohë që të tjerë e përdorin edhe për sëmundje të çrregullimit të vëmendjes (ADD). Në vitin 2017, kompanitë kryesore të sigurimit kanë pranuar 2/3 e kërkesave dhe kanë shpenzuar 2.7 milionë dollar.
Këtë vit, Parlamenti Europian kaloi një votim për të përmirësuar aksesin te kanabisi mjekësor. Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë kërkon që kanabisi të trajtohet në një mënyrë më pak të kufizuar, në mënyrë që të bëhen hulumtime. Ajo që habit më shumë është pranimi i kanabisit mjekësor në vende që nuk pritej lehtësimi i rregullave mbi barnat si Korea e jugut, Tajlanda dhe Zimbabve.
Tek vendet që pranohet përdorimi mjekësor, lehtësimi në akses varion. Traktatet ndërkombëtare të barnave lejojnë teknikisht kanabisin mjekësor. Megjithatë, organi që monitoron përputhjen ndërkombëtare me traktatet, Bordi Ndërkombëtar i Kontrollit të Lëndëve Narkotike (INCB), argumenton se skemat e kanabisit mjekësor janë të rregulluara në mënyrë të dobët dhe krijojnë akses në përdorimin rekreativ. Uruguai bëri çudi kur legalizoi kanabisin në vitin 2013. Megjithatë, reformat në Kanada, që është një vend i G7, tërhoqën vëmendjen më të madhe ndërkombëtare mbi statusin ligjor të kanabisit. Vitin e kaluar, vendi e legalizoi plotësisht drogën. Zyrtarët argumentuan se tregtimi ligjor i rregulluar do të frenojë tregun e zi dhe mbrojë të rinjtë.
Ndryshimi i qasjes së Kanadasë ka shkaktuar debate brenda Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Vendi tashmë akuzohet për cënimin e sistemit të kontrollit të drogës. Qasja po zbutet në të gjithë botën. Megjithatë, shumë vende të rëndësishme, veçanërisht Rusia dhe Kina, mbeten ende të papajtuara me këtë reform. Mungesa e një konsensusi botëror parandalon ndryshimin e traktateve të barnave.
Mund të jetë e vertetë që licensimi i marihuanës mjekësore nxit liberalizimin e gjerë. Por, vendet që po rezistojnë, janë duke notuar kundër rrymës. Meksika pritet ta legalizojë këtë vit; Luksemburgu pritet të bëhet vendi i parë në Bashkimin Europian që legalizon përdorimin rekreativ dhe Zelanda e Re, po planifikon një referendum mbi çështjen.
Mbetet çështje kohe përpara se traktatet ndërkombëtare të barnave të thyhen plotësisht. Disa shqetësohen se mund të cënohet ligji ndërkombëtar nga ky anashkalim i rregullave. (SCAN)