Reklame:

Eurostat: Çmimet e ushqimeve u rriten gjate 2018-s, Shqiperia me e shtrenjta e rajonit

Të ushqyerit është një nga nevojat bazë të njeriut, por për fat të keq, viti 2018 shënoi rritje të çmimit të ushqimeve për shqiptarët. Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat, niveli çmimeve të ushqimeve sipas metodës së fuqisë blerëse (PPP) u rrit në 78 nga 71.3 që ishte një vit më parë. Shqipëria ka një nivel më të lartë çmimesh krahasuar me vendet kandidate për t’u anëtarësuar në BE, por edhe më të lartë se disa vende anëtare të BE-së si Rumania, Bullgaria apo Rumania.

Ndonëse një vit më parë, niveli i çmimeve ishte më i ulët se pjesa më e madhe e vendeve të rajonit, duke kaluar në renditje vetëm Maqedoninë e Veriut.

Për vitin 2018, pas Shqipërisë renditet Serbia, që ka një nivel çmimesh prej 77.1, Mali i Zi me një nivel prej 76.2, Bosnjë dhe Hercegovina me 75.3. Ndërsa më të ulëtin e ka Maqedonia e Veriut me vetëm 61. Për vendet anëtare të BE-së si Bullgaria, Rumania dhe Polonia, niveli i çmimeve të ushqimeve varion nga 65.4 në Rumani (më i ulëti) në Bullgari me 74.8.

Niveli i çmimeve në Eurostat përcakton si niveli bazë prej 100 mesataren e çmimeve në të gjithë Bashkimin Europian. Niveli i çmimeve të ushqimeve prej 78 në Shqipëri, do të thotë se çmimet janë sa 78% e mesatares europiane.

Vendet me një nivel më të ulët se mesatarja europiane për sa u përket çmimeve të ushqimeve janë: Spanja, Portugalia, Mbretëria e Bashkuar.
Vendet fqinje si Italia dhe Greqia kanë një nivel çmimesh më të lartë se mesatarja e BE-së me përkatësisht 113 dhe 102 sipas paritetit të fuqisë blerëse. (shiko tabelën)

Më i shtrenjti në Europë vijon të mbeten Zvicra me një nivel prej 163.6, ndonëse krahasuar me një vit më parë, niveli i çmimeve të ushqimeve ka shënuar rënie.