Reklame:

Fermeret drejt falimentimit, hidhet ne toke prodhimi i domates

Mallrat e importit, mungesa e tregut të shitjes dhe mungesa e subvencionimeve nga shteti ka bërë që prodhimet vendase të tokave bujqësore të serave të hidhen ne plehra nga ana e fermereve pasi me cmimin aktual nuk justifikojne asnjelloj shpenzimi.

Fshati Kutalli është zona e vetme në të gjithë qarkun e Beratit, me rreth 700 ha sera të mbjella në çdo stinë me domate e speca dhe kjo është e vetmja mënyrë jetese prej vitesh për fermerët e kësaj zone. Mungesa e tregut dhe çmimet e ulëta me të cilat dalin këto prodhime në treg ka bërë që fermerët të hedhin këtë vit rreth 30% të prodhimit. Nje gjendje e tille paraqitet per te gjithe fermeret e zonave te Beratit, Fierit dhe Lushnjes.
Situata paraqitet tejet e vështirë edhe për faktin se këtë vit prodhimi ka qenë më i lartë nga vitet e tjera, ndërkohë që kërkesat për eksport shumë të ulëta.
Fermerët shprehen se kanë mjaftueshëm prodhime dhe me cilësi të lartë, por nuk mund t’i shesin dot. Ata thonë se çmimi i domates ka arritur të shitet këtë vit me një çmim qesharak 100 – 200 lekë (të vjetra) për kg dhe kjo ka bërë që fermerët të mos mbulojnë dot as shpenzimet e tyre.

“Është shumë krizë këtë vit në krahasim me vitet e tjera, rreth 30% e prodhimit është hedhur pasi konsumi i brendshëm nuk mund ta konsumojë dot gjithë këtë prodhim, ndërkohë kërkesa për eksport është shumë e pakët pasi jashtë vendit ka akoma prodhim”, shprehen fermerët.

Fermerët deklarojnë se po shkojnë drejt falimentimit, sepse shteti jo vetëm që nuk ndërpret prodhimet nga jashtë për të qarkulluar prodhimi vendas, por as nuk i ndihmon aspak fermerët për TVSH-në dhe plehrat kimike.

“Neve na ka marë lumi si fermer,fermerit nuk i del as për naftën. Si prodhues jemi të fundit në rajon dhe s’kemi pasur asnjë ndihmë nga shteti, ndërsa si tregtar ne nuk kemi pasur barriera nëpër dogana”, pohojnë fermerët e Kutallisë.

Mungesa e tregut vendas dhe eksportit po i çon fermeret e Lushnjes, Fierit dhe beratit drejt rrënimit total. Aktualisht ata janë duke eskportuar në sasi të pakëta vetëm në Bullgari dhe Itali, ndërkohë që produkti i brendshëm në vend nuk i përballon dot 600-700 ha sera që janë me prodhim.