Data 30 tetor do të shënojë edhe datën e hapjes së aplikimeve për thirrjten e dytë IPARD II. Agjencia për Zhvillim Bujqësor Rural në njoftimin e saj saktëson se kjo thirrje do të mbetet e hapur deri në datë 16 dhjetor ndërkohë që sqaron masat që mbështeten.
“Thirrja është e hapur për të gjithë personat (persona fizikë dhe juridikë), puna dhe veprimtaria e të cilëve zhvillohet brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, në fushat e prodhimit bujqësor, ose të agro-përpunimit dhe rural me fokus në masat e mëposhtme:
Masa 1: “Investimet në asetet fizike të fermave bujqësore” me fokus të veçantë në sektorët e mëposhtëm: Qumësht, mish, fruta, perime, vresht.
Masa 3: “Investimet në përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore” me fokus të veçantë në sektorët e mëposhtëm: qumështi dhe përpunimi i qumështit, përpunimi i mishit, përpunimi i frutave dhe perimeve, vera
Masa 7: “Diversifikimi i fermave dhe zhvillimi i biznesit” me fokus të veçantë në sektorët e mëposhtëm:
- Sigurimi dhe Prodhimi i bimëve medicinale dhe aromatike, kërpudhave, mjaltit, bimëve dekorative, kërmijve;
Ky program bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian
- Përpunimi dhe tregëtimi në nivel ferme i produkteve bujqësore (qumështi, mishi, frutat perimet dhe verës);
- Përpunimi dhe tregtimi i bimëve medicinale dhe aromatike të egra apo të kultivuara, kërpudhave, vaji i ullirit, mjalti, peshku dhe produktet e peshkut, prodhimi dhe tregtimi i vajrave esenciale;
- Akuakultura (në ujëra të ëmbla dhe të kripur):
- Turizmi rural dhe i Natyrës;
- Shërbime për popullsinë dhe bizneset rurale;
- Punimet e artizanatit dhe industria e manifaktures;
- Prodhimi i energjisë së rinovueshme.
Buxheti i përgjithshëm në dispozicion të kësaj thirrje është 57.68 milion EURO nga të cilat 75% ose 43.26 Milion EURO kontribut i BE dhe 25% ose 14.42 Milion EURO kontribut i buxhetit të shtetit.
Masa 1: me buxhet total 24.05 milion EURO, me një minimum prej 10,000 EURO dhe maksimum 500,000 EURO. Përqindja e mbështetjes është 60% të totalit të shpenzimeve të pranueshme të investimit, 65% nëse investimi bëhet nga një fermer i ri (nën 40 vjeç), 70% për investimet në zonat malore.
Masa 3: me buxhet total 22.75 milion EURO, me një minimum 25,000 EURO dhe maksimum 2,000,000 EURO. Përqindja e mbështetjes me fonde publike është 50% e totalit të shpenzimeve të pranueshme të investimit.
Masa 7: me buxhet total 10.87 milion EURO, me një minimum 10,000 EURO, maksimumi 400,000 EURO. Përqindja e mbështetjes me fonde publike është 65% e totalit të shpenzimeve të pranueshme të investimit.
Të gjitha palët e interesuara janë të lutura të marrin informacionin e duhur lidhur me llojet e investimeve të pranueshme, aplikantët e pranueshëm, kriteret e përzgjedhjes dhe rregullat e dorëzimit të aplikimeve në Udhëzuesin për Aplikantët, i cili mund të kërkohet si kopje e printuar në zyrat e Autoritetit Menaxhues pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR), gjatë orëve të punës 08:00-16:30” sqaron AZHBR.