Reklame:

Eksporti i peshkut perplas perseri Kosoven dhe Maqedonine

Raportet tregtare mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut janë luhatur përsëri. Shteti ka vendosur që përsëri ta pengojë Kosovën të eksportojë rasadin e peshkut, barrierë të cilën e kishte hequr gjatë muajit të kaluar pas një marrëveshjeje që kishin bërë ministrat e dy shteteve.  Maqedonia Veriore vendimin e parë për ndalim të rasatit të peshkut e kishte marrë më datën  01.06.2019.

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) është  shprehur shumë e shqetësuar që prapë po pengohet eksporti i rasadit të peshkut me origjinë nga Kosova në Maqedoninë e Veriut .

OAK ka kërkuar nga ministri i Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Endrit Shala që me urgjencë ta zgjidhë këtë problem.

Oda e Afarizmit të Kosovës thotë se edhe pse vendimi i datës 01.06.2019 me të cilin ndalohet importi i peshkut të gjallë që dedikohet për rritje ose mbushjen e hurdhave me peshq të vegjël me prejardhje nga Kosova, është shfuqizuar gjatë muajit që lamë pas, eksporti përsëri po pengohet.

“Ndryshimi i ligjit dhe procedurave nga ana e Maqedonisë së Veriut po bëhet një pengesë shumë e madhe jo vetëm për bizneset tona por edhe për bizneset e Maqedonisë të cilat furnizohen nga Kosova. Në lidhje me këtë OAK ka kontaktuar me biznesin Trofta dhe me biznesin Fresh Fish nga Gostivari, i cili ka theksuar që me ndryshimet e fundit që janë bërë bizneset, nuk kanë qenë të informuara paraprakisht duke u krijuar kështu një barrierë shumë e madhe për bashkëpunim. OAK kërkon nga Ministri Shala që të ndërmarr masa urgjente në reciprocitet deri në zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështje”, thuhet në komunikatën e OAK.

Kujtojmë se Maqedonia Veriore në fillim të muajit të kaluar kishe marrë  vendi për eliminimin e ndalesës së eksportit të peshkut nga Kosova.

“Pas këtyre masave reciproke nga Republika e Kosovës, Maqedonia e Veriut ka reflektuar duke eliminuar ndalesën e peshkut pas takimit që kanë pasur dy palët.  Pas këtij vendimi nga ana e Maqedonisë së Veriut, pritet edhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala ta heq ndalesën për mjaltin dhe patatet nga Maqedonia e Veriut”, thuhej në njoftimin që ishte bërë publik.

Kurse ministri i Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi, pati thënë se Maqedonia e Veriut nuk e ka vendosur këtë masë vetëm ndaj Kosovës por edhe ndaj vendeve tjera fqinje.

“Maqedonia e ka vendosur këtë masë ndaj të gjithë shteteve që nuk e implementojnë monitorimin aktiv sa i përket produkteve të peshkut. Që nga viti i kaluar ne si qeveri i kemi njoftuar institucionet përkatëse si Kosovën, Shqipërinë, Serbinë dhe Bosnjën për këtë program me të vetmin qëllim që t’i eksportojmë produktet tona në BE”.

Ndryshe, gjatë muajit gusht Kosova vendosi masë reciprociteti Maqedonisë së Veriut, për disa produkte, pasi ky vend ndali importin e disa produkteve nga Kosova.

Autoritetet në Kosovë vendosën një masë për dy produkte ushqimore. Ndaluan importimin e mjaltit natyral dhe patateve për të mbrojtur interesin e bizneseve dhe prodhimeve vendore.

Kjo masë kishte ardhur si masë reciprociteti e Kosovës, pasoi pengesat tarifore të vendosura nga Maqedonia e Veriut ndaj rasadit të peshkut që eksportohet nga Kosova në shtetin fqinjë. Kosova për këtë ka bërë ankesë edhe në organizatën e tregtisë së lirë CEFTA.

Kontesti tregtar me Prishtinën filloi kur Maqedonia e Veriut ndaloi importin e peshkut dhe ikrave me arsyetimin se Agjencia kosovare e ushqimit nuk është e akredituar sipas standardeve evropiane. Më pas, Kosova reagoi duke vendosur bllokim për import të patates dhe mjaltit.( Monitor.al)