Reklame:

Fillon rikonstruksioni i nderteses se re te AIDSSH

Fillon rikonstruksioni i ndërtesës së re të Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), një bashkëpunim ndermjet AIDSSH-së dhe Agjencisë Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar në Tiranë (SIDA)

Diten e sotme në mjediset e reja të Autoritetit, pranë Ministrisë së Mbrojtjes, u zhvillua nje ceremoni per prezantimin e projektit të bashkëpunimit për rikonstruksionin e ndërtesës së AIDSSH-së dhe shërbimeve TIK për krijimin e një arkive moderne.

Në praninë e përfaqësuesve të Ambasadës Suedeze dhe të Agjencisë Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar në Tiranë, trupit diplomatik, organizatave ndërkombëtare në kryeqytet, institucioneve publike, qendrore e lokale, shoqatave të të drejtave të njeriut dhe të përndjekurve politikë, përfaqësuesve të universiteteve dhe insititucioneve kërkimore në vend, përfaqësuesve të institucioneve homologe me të cilat AIDSSH bashkëpunon që prej krijimit, u prezantua projekti i ndërtesës dhe ndërhyrjet e mëdha të pritshme për një godinë me infrastrukturë bashkëkohore e kushte moderne për ofrimin e shërbimeve qytetarëve dhe studiuesve.

Sipas kryetares së Autoritetit, znj. Gentiana Sula: “Qëllimi ynë është krijimi i kushteve optimale me standardet teknike të një arkivi europian, me rëndësi historike për brezat që vijnë, që plotëson edhe kushtet e sigurisë, sipas ligjeve në fuqi…

Ndihma e Qeverisë suedeze vjen pas një pune shumë të imët dhe profesionale për hartimin e një projekti të plotë e produktiv që, duke plotësuar këto standarde, synon edhe krijimin e kushteve më të mira për bashkëpunimin me shtresat e prekura, studiuesit, si dhe qytetarët e grupmoshave të ndryshme, të etur për të mësuar përmes formave më bashkëkohore të edukimit historik për demokraci dhe paqe“.

Znj. Elsa Håstad, Ambasadore e Suedisë në Shqipëri theksoi se: “Arkivat duhen për të gjetur të vërtetën mbi të shkuarën dhe për të pajtuar njerëzit me historinë e tyre. Hyrja në materialet arkivore do t’u kthejë njerëzve dinjitetin dhe unë ndihem krenare që vendi im, Suedia, mund të bëhet pjesë e këtij hapi të rëndësishëm”

Kushtet e vështira në të cilat ushtron veprimtarinë e vet Autoriteti, me dy vendruajtje arkivore pranë SHISH e IPQP dhe kushtet e papërshtatshme të ndërtesës ku do të vendoset institucioni që ditë pas dite zbardh të shkuarën, si dhe nevoja për ndërhyrje të mirëmenduara, u bënë pjesë e bisedimeve të vazhdueshme me Ambasadën Suedeze.

Ceremonia e shpalljes së këtij bashkëpunimi përmbyll fazën e gjatë përgatitore që u finalizua me marrëveshje dhe u hap dritën jeshile punimeve për rikonstruksionin e ndërtesës, shërbimet TIK për krijimin e një arkive moderne, për të ofruar kushtet e pritshme për kërkim, hulumtim shkencor dhe aktivitete në mbështetje të dialogut shoqëror mes grupmoshave të ndryshme, në kuadër të edukimit qytetar e konsolidimit të demokracisë.

Ndërtesa ku Autoriteti do të zhvillojë veprimtaritë e tij iu dha institucionit nga Qeveria shqiptare, me fondet për fazën e parë të sistemimit të arkivit, punime cilësore që janë kryer tashmë. Aktiviteti i parë i institucionit u zhvillua më 25 janar 2017 në këtë ndërtesë, ku arkitektja Nevin Bilali prezantoi për të pranishmit e shumtë qasjen e saj vizive për strehën e re të AIDSSH-së: transparente, të sigurt për arkivin e rëndësishëm, me mjedise pune për studiuesit, me bibliotekë, sallë ekspozitash e dhoma për regjistrimin e dëshmive gojore të të mbijetuarve. Ndërkohë, projekti i ndërtesës u realizua nga Instituti i Ndërtimit, me mbikëqyrjen e Autoritetit.