Më 2018-n shqiptarët ndanë si shpenzime për veshje nga buxheti i tyre më pak para se në vitin 2009.
Sipas INSTAT 9 vite më parë shqiptarët harxhonin 5.7 për qind të buxhetit të tyre për veshje, ndërsa në vitin 2018 shpenzuan 4.2 për qind të buxhetit.
Në vitin 2018 shpenzimet mesatare mujore për veshje të një familje shqiptare janë 3180 lekë, ose 4.2 për qind e peshës totale të shpenzimeve.
Ulja e shpenzimeve për veshje në totalin e buxhetit familjar reflekton disa ndryshime në demografinë e vendit dhe çmimet e artikujve të veshmbathjes.
Madhësia e familjeve shqiptare ka rënë dukshëm në këto vitet e tranzicionit. Rënia e lindshmërisë dhe pasja e një numri gjithnjë e më të vogël fëmijësh e ka ulur peshën e shpenzimeve për veshje dhe për arsim.
Uljen më të madhe të shpenzimeve mesatare për konsum mujor, në vitin 2018, e ka shënuar grupi “Arsim”, me 19,8 %, krahasuar me vitin 2017.
Gjithashtu tregu i veshjeve ka pësuar ndryshime të forta gjatë dekadës ku me futjen e markave ndërkombëtare është rritur konkurrenca e për pasojë veshjet janë bërë më të lira.
Shpenzimet më të larta për veshje i ka grup mosha 25-34 vjeç , të cilët gjatë vitit të kaluar shpenzuan 4.9 për qind të buxhetit për veshje. Gjithashtu grupmosha deri në 24 vjeç është grupi i dytë që kryen shpenzime më të larta për veshje, duke konsumuar 4.8 për qind të buxhetit.
Shpenzimet më të ulta për veshje i ka grupmosha mbi 65 vjec të cilat shihen se shpenzojmë më pak se 4 për qind te të ardhurave për këtë qëllim.
Edhe pse renditemi ndër vendet me të ardhura të ulëta për frymë, kur vjen puna te veshjet shpenzojmë po aq se europianët. Sipas të dhënave nga. Mesatarja europiane e shpenzimeve për veshje dhe këpucë sipas të dhënave të Eurostat në vitin 2016 ishte 4.9%.
Në krahasim me disa vende anëtare të Bashkimit Europian, si Greqia, Danimarka, Franca apo Bullgaria, Shqipëria kishte shpenzime më të larta për veshje dhe këpucë. Estonia (6.8%), Portugalia (6.3%) dhe italia (6.2), Austria (6.1%) kryesojnë në Europë për buxhetin e lartë të veshjeve në raport me totalin e shpenzimeve.