Reklame:

Si te kultivoni “Pemen e Milionereve”

Kivi është bimë kacavjerrëse, shumëvjeçare dhe shumica e specieve  janë bimë gjetherënëse. Speciet e kultivuara, kryesisht Aktinidia deliciosa dhe Aktinidia chinensis janë gjetherënëse dhe me zhvillim të fuqishëm vegjetativ vjetor. Në gjininë Aktinidia bëjnë pjesë edhe specie që kultivohen si bimë zbukuruese.

Shtimi i kivit mund të realizohet me disa mënyra; me farë, me copa vegjetative dhe me anë të shartimit.

Shtimi me farë i kivit nuk është një metodë e përdorur gjerësisht, sepse fara nuk transmeton besnikërisht vetit e bimës mëmë dhe për më tepër kivi është një bimë me seks të ndarë. Është provuar që rreth 80 % e farave të mbjella lindin filiza mashkullore dhe vetëm pjesa e mbetur, prej 20 %, janë bimë femërore.

Sot, në praktikë përdoret gjerësisht shumëzimi me copa të trajtuara me hormone rrënjëzuese si dhe shumëzimi “in vitro”.

Në të vërtetë, deri në vitin 1990, shartimi ka qenë shumë i përhapur në Zelandën e Re, ku rreth 90 % e bimëve të mbjella shtohej me këtë mënyrë,  por edhe në Itali  në vitet e para të kultivimit të kësaj bime (fillimi i viteve 70-të e mesi i viteve 80-të).

Shtimi i kivit me shartim nuk paraqet ndonjë dallim të rëndësishëm prej pemëve të tjera që shtohen me anën e shartimit. Për një shartim të suksesshëm mjafton të plotësohen disa kushte themelore si;

  • zgjedhja e materialit të përshtatshëm të nënshartesës e mbishartesës,
  • zgjedhja e kohës më të përshtatshme për të bërë shartimin dhe,
  • aplikimi i mënyrës më përshtatshme të shartimit në varësi nga materialit që shfrytëzohet për shartim dhe kohës së shartimit.

Te kivi kanë patur sukses tre tipe shartimi:

Shartimi me syth. Shartimi me syth mund të realizohet në periudhën gusht-shtator dhe në mars. Për të arritur rezultat të mirë duhet që degët të kenë arritur të paktën në diametrin 1 cm. Sythi merret nga një degëz njëvjeçare midis më të shëndetshmeve, të pastra nga ana fitosanitare dhe me ngjyrë tipike të lastarit, kafe në të kuqërremtë. Prerja fillon 1 cm mbi syth në thellësi 3-4 mm dhe përfundon vertikalisht rreth 1 cm poshtë sythit që do të marrim. Pas përfundimit të procesit të shartimit është e detyrueshme lidhja e kujdesshme me rafie apo material tjetër.

Shartimi me copa. Shartimi me copa mund të bëhet me çarje angleze të thjeshtë apo dopio ndarje me gjuhëz. Në këtë lloj shartimi duhet që nënshartesa dhe mbishartesa të kenë të njëjtin diametër. Ky shartim bëhet në muajt shkurt-mars, por edhe në maj-qershor. Për çarjen e thjeshtë apo të dyfishtë përdoren thika të posaçme që e bëjnë prerjen të tillë duke garantuar puthitjen e plotë midis dy komponentëve. Pas kësaj bëhet lidhja me rafie si dhe izolohet me parafinë vendi i operacionit.

Shartimi me çarje në formë trekëndëshi. Edhe ky shartim bëhet në mars. Kjo metodë përdoret kur nënshartesa dhe mbishartesa nuk kanë të njëjtin diametër. Gjithmonë për këtë shartim nënshartesa është më e madhe në diametër. Përdoret kur kemi bimë disavjeçare që kanë formuar cungun ose do të shartojmë degët e trasha të kiëit të cilat kanë arritur në lartësinë e sistemit mbështetës (tendës, pjergullës etj).