Reklame:

Rendesia e mineraleve ne ushqyerjen e kafsheve

Vlera ushqyese e ushqimeve voluminoze të kafshëve varet nga përmbajtja e  karbohidrateve, proteinave, mineraleve dhe vitaminave, të cilat tashmë janë të njohura, por nëse këtyre ushqimeve u mungojnë makro dhe mikroelementet atëherë këto duhet shtuar në ushqime.

Rëndësia e ndikimit dhe të mineraleve në organizmin e kafshëve

  • Mineralet depozitohen në organizëm të kafshëve dhe prodhohen si rezerva që mund të shfrytëzohen nga organizmi nëse mungojnë në ushqim.
  • Përshpejtojnë procesin e metabolizmit të kafshëve në formën e reaksioneve kimike dhe shërbejnë si katalizator për modifikimin e lëndëve ushqyese ose komponentëve të tyre.
  • Mineralet rregullojnë metabolizmin e ujit në organizëm dhe janë të nevojshme për të ndryshuar proteinat dhe yndyrat.
  • Pa minerale nuk ka zhvillim të duhur të frytit në bark të kafshëve, por edhe zhvillim të peshës së nevojshme.
  • Nga prodhimi i qumështit dhe qumështi i thithur nga viçat, shpenzohen edhe mineralet që duhet të kompensohen me ushqime shtesë.
  • Te viçat e rinj, pa minerale të mjaftueshme, nuk zhvillohen normalisht eshtrat e as indet.
  • Me minerale edhe zhvillimi i viçave për trashje është më i mirë.
  • Me minerale të mjaftueshme në ushqim ka më shumë lesh te dhentë, pendla më të mira te shpendët etj.
  • Riprodhimi – mbarësimi është më i mirë dhe më i sigurt.

Mineralet duhet të zëvendësohen për shkak se ato ekskretohen me urinë dhe jashtëqitje. Për të ushqyerit e duhur, është e rëndësishme që ushqimi të përmbajë të gjitha elementet ushqyese në sasi të mjaftueshme, të jenë të freskëta, të mos ketë ushqim të prishur dhe që ushqimet të merren në kohë. Ushqimi duhet të jetë i ndryshëm, sepse kështu rritet vlera e ushqimit. Para së gjithash, përmbajtja e mineraleve përcaktohen në hiri, siç janë kaliumi, natriumi, magnezi, kalciumi, hekuri, squfuri, klori, fosfori, alumini, silici, mangani, jodi, fluori dhe bakri.

Çdo kg i organizmit të kafshëve përmban 1.5 gram Kalium (K). Ushqimet e kafshëve zakonisht përmbajnë mjaft Kalium. Natrium (Na) në 1 kg të organizmit, është 0.7-1.5 gram. Kalciumi (Ca) është i rëndësishëm për zhvillimin e eshtrave, muskujve dhe lëngjeve. Kalciumi pengon ndikimin negativ të Kaliumit dhe Natriumit në organizëm. Veçanërisht është e nevojshëm për rritje dhe për prodhim të qumështit. Çdo 1 kg i organizmit të kafshëve ka 6-12 g kalcium. Sasia e kalciumit ndryshon. Sasi më të madhe të kalciumit përmbajnë pjesët e  gjelbëra të bimëve, sana, bishtajoret dhe bimët vajore.

Fosfori (P) lidhet kryesisht me kaliumin dhe është i rëndësishëm për rritje, për prodhim të qumështit dhe mbarsim. Fosfor përmbajnë eshtrat, truri, muskujt, qelizat, nukleusi dhe qumështi. Zakonisht  Magnez (Mg) ka mjaft në ushqime të kafshëve. Mungesa e tij shkakton ngërçe dhe nervozë te kafshët. Hekuri (Fe) gjendet në hemoglobinë (gjak) dhe në qumësht. Hekuri (Fe) lidhet me bakër (Cu). Nëse organizmi nuk ka hekur të mjaftueshëm, atëhere shkaktohet anemia. Hekuri gjendet në brirë, qime, lëkurë, pupla dhe lesh.

Klori (Cl) është i rëndësishëm sepse prodhon acidin clorhidrik në stomak, që aktivizon fermentimin e pepsinës që nevojitet për tretje normale. Klori gjendet në veshka, shpretkë, mushkëri, lëkurë, eshtra, gjak dhe stomak. Edhe jodi (J) është i rëndësishëm për shkak të thyroxinës, hormoni që rregullon metabolizmin dhe ndikon në rritje. Mungesa e jodit shkakton ngulfatje dhe ndonjëherë edhe abort. Fluori (F) gjendet në çdo organizëm dhe më së shumti në dhëmbë dhe eshtra.

Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se kalciumi, fosfori, natriumi dhe klori janë mineralet më të rëndësishme për organizmin e kafshëve dhe se këto minerale gjenden më së shumti në bimët e gjelbëra 1-2%, në sanë dhe kashtë 5-10%, drithëra prej 1- 4%, grurë 4 -12%. Kafshët të cilat ushqehen me ushqime voluminoze shpesh nuk i plotësojnë nevojat e organizmit të tyre me sasitë e duhura të mineraleve, kështu që ato duhet të plotësohen me minerale nga industria përpunuese – fabrikat.

Në të kundërtën, për shkak të mungesës së mineraleve, dobësohet i tërë aktiviteti i qelizave dhe i indeve në organizëm, që do të thotë i gjithë konstitucioni i kafshëve. Midis shkaktarëve të sëmundjeve dhe mineraleve, vitaminave e proteinave në organizëm, nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë, por ndikimi indirekte shpesh është shumë i theksuar. Ushqimi i gabuar me minerale zvogëlon rezistencën e organizmit të kafshëve dhe e bën atë të ndjeshëm ndaj infeksioneve.