Reklame:

“Barna te pa sigurta e pa cilesi” – KLSH: Import nga vende jo te sigurta, jane analizuar vetem 12% te ilaçeve ne treg

Mungesa e objektivëve strategjikë për shërbimin farmaceutik në vend ka bërë që politikat e ndërmarra nga qeveria për këtë sektor të mos jenë efektive në drejtim të garantimit të cilësisë dhe sigurisë së barnave”. Konstatimi vjen nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në raportin mbi zbatimin e buxhetit të shtetit 2018, i cili nxjerr në pah se heqja e detyrimit ligjor për importin e medikamenteve të prodhuara në vendet e Ballkanit, “që ato të qarkullojnë në një nga vendet e BE”, duke u mjaftuar vetëm që ato të kenë regjistrim lokal në vendet e origjinës e kanë ekspozuar publikun shqiptar ndaj barnave të cilat vijnë nga vende që nuk kanë standardet e BE-së në drejtim të garantimit të cilësisë dhe sigurisë së barnave.

Po ashtu, sipas KLSH Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, si një institucion përgjegjës për garantimin e cilësisë dhe sigurisë së barnave vijon të jetë jo efektive në veprimtarinë e saj edhe si rezultat i mungesës së certifikimit dhe akreditimit të laboratorit të analizave. Sipas KLSH kjo shfaqet  në numrin e papërfillshëm të analizave të kryera, ku për periudhën 2017-2018 janë analizuar vetëm 12% e barnave që duheshin analizuar.

Gjithashtu, edhe sistemi i farmako-vigjilencës është pothuajse inekzistent në veprimtarinë e tij, duke mos patur fare ndikim në garantimin e sigurisë së barnave në vend.Ndërkaq, sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit edhe shërbimet farmaceutike pranë spitaleve vazhdojnë të jenë të pa akredituara dhe në kushte jo optimale sipas praktikave të mira të ruajtjes dhe qarkullimit të barnave.

“Spitalet publike vijojnë të akumulojnë barna jashtë afatit të skadencës,si rezultat i planifikimeve të gabuara dhe të keqmenaxhimit të tyre”,-thuhet në raport, duke thekuar se cilësia dhe siguria e barnave mbeten ende ndër shqetësimet kryesore të qytetarëve shqiptarë dhe një problem i vazhdueshëm i sistemit shëndetësor në Shqipëri.