Reklame:

IPARD II – Dokumentet qe duhen te dorezojne fermeret per te perfituar nga grantet

Fermerët dhe sipërmarrësit që duan të përfitojnë grante nga programi IPARD II, duhet të aplikojnë në zyrën e Agjencinë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, me një projekt teknik dhe plan biznesi për investim mbi 25 mijë euro.

Nga data 30 tetor deri më 16 dhjetor 2019, hapet thirrja e dytë e aplikimeve për financimet përmes programit IPARD II, që vë në dispozicion të fermerëve shqiptarë 57,6 milionë euro.

“Bibla” për aplikantët në thirrjen e dytë të programit IPARD II është udhëzuesi i publikuar në faqen zyrtare të Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR). Kështu deklaroi drejtoresha e AZHBR-së, Frida Krifca e cila tha se dokumentacioni që nevojitet është intensiv, por aspak i vështirë dhe i parealizueshëm.

Ajo tha se, për shumat deri 25 mijë euro kërkohet një projekt teknik dhe për vlera investimi më të mëdha është e nevojshme edhe plani i biznesit. Ndërsa dokumentet shoqërues kryesore janë: certifikatë pronësie, leje për ushtrim biznesi, certifikatë familjare.

“Dokumentet shoqërues gjenerohen nga zyrat e shtetit. Me një urdhër të posaçëm të Kryeministrit të vendit Edi Rama, kërkohet që zyrat e shtetit duhet t’i përgjigjen me prioritet aplikantëve në programin IPARD II, që nga formularët e aplikimit, e deri në konsulencën e një biznes plan, i cili duhet të ndërtohet nga vetë aplikanti”, – shpjegoi Krifca.

Është e rëndësishme, theksoi Krifca, të dëshmohet vërtetësia e aplikimit dhe gatishmëria e aplikantit për të ndërmarrë këtë investim në bujqësi.

“Në 20 agropikat që janë në të gjithë vendin aplikantët mund të marrin të gjithë informacionin e nevojshëm për aplikimin në programin IPARD, por dosjet fizike do të dorëzohen vetëm në zyrën e AZHBR-së në Tiranë”, – tha ajo.

Tri masat ku adresohet mbështetja e IPARD II 

IPARD II mbështetet nga fondet e Qeverisë shqiptare dhe Bashkimit Europian, në vlerën 57.6 milionë euro.

Masa 1 – Investime në fermë, me një minimum prej 10 000 EURO dhe maksimum 500 000 EURO. Përqindja e mbështetjes është 60% të totalit të shpenzimeve të pranueshme të investimit, 65% nëse investimi bëhet nga një fermer i ri (nën 40 vjeç), 70% për investimet në zonat malore.

Masa 3 – Investime për përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale, me një minimum prej 25 000 EURO dhe maksimum 2 000 000 EURO. Përqindja e mbështetjes me fonde publike është 50% e totalit të shpenzimeve të pranueshme të investimit.

Masa 7 – Investime në diversifikimin e ekonomisë në fshat, me një minimum prej 10 000 EURO, maksimumi 400 00 EURO. Përqindja e mbështetjes me fonde publike është 65% e totalit të shpenzimeve të pranueshme të investimit.

Aplikimet në thirrjen e dytë

Investimet që mbështet thirrja e dytë e IPARD II përfshijnë të gjithë territorin e vendit. Aplikuesit duhet të kenë mjete të mjaftueshme financiare për të financuar paraprakisht investimin, ndërkohë që duhet të dorëzojnë të gjitha dokumentet mbështetëse të kërkuara sipas formularëve përkatës dhe Plan Biznesin. Po kështu duhet të jenë pronarë të tokës apo ndërtesave ku ushtrohet aktiviteti bujqësor, ose ta kenë me qira 10-vjeçare. Për ata që kanë investime në pajisje dhe makineri, ato duhet të jenë të reja dhe të respektojnë rregullin e origjinës nga vendet e BE-së.