Varfëria ngelet një pengesë e madhe edhe në rritjen e edukimit financiar të shqiptarëve. Shoqata Mikrofinanca Shqiptare prezantoi të mërkurën një anketim lidhur me gjendjen ekonomike dhe njohuritë financiare të shqiptarëve.
27% e të intervistuarve u përgjigjën se nuk kanë para mjaftueshëm për ushqim, ndërsa pjesa dërrmuese e tyre nuk janë në gjendje të kursejnë para.
Në zonat urbane, 64% e të intervistuarve u shprehën se nuk mund të kursejnë asgjë nga rrogat e tyre, ndërsa në zonat rurale kjo përqindje arrin në 71%. Këto shifra tregojnë se varfëria është një faktor i rëndësishëm që pengon rritjen e nivelit të kulturës financiare.
Rreth 80% e të intervistuarve deklaruan se nuk kanë marrë shërbime financiare gjatë tre viteve të fundit. Afërsisht gjysma e tyre pranojnë se njohuritë e tyre financiare janë mesatare ose të dobëta.
Rezultatet e sondazhit nxjerrin në pak nevojën për të rritur përfshirjen financiare, me qëllim që shqiptarët të njohin dhe të përdorin më shumë produktet financiare për të përmbushur nevojat e tyre. Aktualisht, institucionet e mikrofinancës kanë një rol të rëndësishëm për të mbështetur me financime ato shtresa të shoqërisë që e kanë të vështirë aksesin në sistemin bankar.
Avantazhi kryesor që publiku percepton për institucionet financiare jo-banka është shpejtësia e shërbimit dhe mundësimi i kredive në kohë më të shpejtë.
Portofoli i kredisë së këtyre institucioneve zë rreth 5% të totalit të huasë për ekonominë, por në numër financimesh pesha e këtij sektori është ndjeshëm më e lartë.
Sipas të dhënave të Shoqatës, këto institucione regjistrojnë rreth 100 mijë huamarrës dhe japin afërsisht një të katërtën e numrit total të kredive të disbursuara.(SCAN)