Konkurrenca e ashpër ka përfshirë edhe sektorin bujqësor. Mania për të dalë në treg para sezonit dhe për të akumuluar sa më shumë fitime, shpesh i shtyn fermerët shqiptarë të përdorin doza më të mëdha pesticidesh apo pesticide të ndaluara në mënyrë që të nxjerrin në treg një produkt të pjekur nga jashtë dhe thuajse mutant në brendësi. Edhe pse të gjitha mundësitë janë që, ashtu si më parë, bujqërit shqiptarë të prodhojnë me cilësisë produktet e sezonit deri në bio, duke mos i bërë konsumatorët që të kenë mungesë besimi dhe të preferojmë më së shumti produktet bujqësore të importit.
Ky lloj guximi i fermerëve është i nxitur edhe nga mungesa e investimeve, pasin nëse do të kishte sera me ngrohje dhe mbështetje nga shteti për energjinë apo gazin natyror, si dhe investime masive në dhoma frigoriferike, situata do të ishte ndryshe, do të prodhohej në sezon dhe do të ruheshin për të dalë në treg në çdo kohë. Faktin e përdorimit të pa kriter të hormoneve apo pesticideve të shtuara deri diku “helmuese”, e kanë bërë publike disa herë mediat, konsumatorët të cilët janë përballur me këto produkte, pa ngjyrë, shije dhe aromë si dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.
Shkak tjetër, është se pesticidet që konsiderohen si ilaç për bimën shiten lehtësisht dhe pa kontroll nga agronomët e zonës apo farmacitë bujqësore, çka i bën fermerët që të mos frenohen në sasitë e blera. Ndërkaq, për lejimin e pesticideve të dëmshme në treg, Prokuroria e Përgjithshme ka nisur një hetim mbi ish drejtuesit e Ministrisë së Bujqësisë. Në 9 muajt e parë të vitit, Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit ka trajtuar mbi 60 ankesa të konsumatorëve lidhur me përdorimin e kimikateve mbi normë tek perimet, e kryesisht në zonën e Beratit, Lushnjës dhe Elbasanit.
Së fundmi, në Kuvend është depozituar një projektligj “për produktet plehëruese” që ka si objektiv përcaktimin e rregullave për prodhimin, regjistrimin, tregtimin, përdorimin, kontrollin e cilësisë, gjurmueshmërinë, informimin, reklamimin dhe inspektimin e veprimtarive që lidhen me produktet plehëruese si dhe organizimin e funksionimin e strukturave përkatëse, duke tentuar të kontrollojë fermerët në këtë aspekt dhe të parandalojë abuzimet. Përdorimi mbi normë i kimikateve tek produktet bujqësore është provuar që shkakton sëmundje të rënda në organizimin e njeriut.