Reklame:

Greta Thunberg refuzon çmimin mjedisor – ‘Klima nuk ka nevoje per çmime’

Aktivistja suedeze e klimës, Greta Thunberg ka refuzuar të pranojë çmimin mjedisor, duke thënë se lëvizja klimatike kishte nevojë për njerëzit në fuqi që të fillojnë të “dëgjojnë” “shkencën” dhe jo çmimet.

Aktivistja e re për klimën, e cila ka mbledhur miliona me lëvizjen e saj “E Premtja e së Ardhmes”, u nderua në një ceremoni të Stokholmit të mbajtur nga Këshilli Nordik, një organ rajonal për bashkëpunimin ndër-parlamentar, transmeton The Guardian.

Ajo ishte nominuar për përpjekjet e saj nga Suedia dhe Norvegjia dhe fitoi çmimin vjetor të organizatës për mjedisin.

Por pasi u njoftua për çmimin, një përfaqësues i aktivistes Thunberg tha se ajo nuk do të pranojë çmimin ose shumën e çmimit prej 350,000 koronë danez (rreth 52,000 dollarë ose 46.800 €), njoftoi agjencia e lajmeve TT.

Ajo në një postim në Instagram tha se nuk do ta pranojë çmimin.

“Lëvizja për mbrojtjen e klimës nuk ka nevojë më për çmime. Ajo që kemi nevojë është që politikanët dhe njerëzit me pushtet ta dëgjojnë shkencën”, shkroi ajo

Ndërsa falënderoi Këshillin Nordik për “nderin e madh”, ajo gjithashtu kritikoi vendet nordike për mosrespektimin e “reputacionit të tyre të madh” për çështjet e klimës.

“Nuk mund të mburremi për këtë. Nuk mungojnë fjalët e bukura. Por kur bëhet fjalë për emetimet tona reale dhe gjurmët tona ekologjike për frymë … atëherë është një histori tjetër, “tha Thunberg.

Ende vetëm 16 vjeç, Thunberg që u bë e njohur duke filluar një grevë shkollore ndaj ndryshimeve klimatike, është bërë një ikonë e lëvizjes globale për ndryshimet klimatike.