Më pak se gjysma e të papunëve, kërkojnë punësim nëpërmjet shërbimeve publike të punësimit, duke dëshmuar që skema e ndihmës ekonomike, zyrat e punës dhe politikat aktive të tregut të punës, kanë nevojë të strukturohen më mirë për të mundësuar punësimin e të papunëve. Defektet në tregun e punës janë pasqyruar në strategjinë kombëtare për punësim dhe aftësi 2019-2022, ku qeveria nxjerr në pah situatën jo rozë të punësimit aktualisht, pavarësisht disa shifrave optimiste dhe përcakton ndërhyrjet që duhen bërë.
Në strategji thuhet se një ndër problemet kryesore të tregut të punës është se bujqësia vazhdon të dominojë më 37.4 për qind të totalit të punësimit, ndërsa prodhimi dhe shërbimet mbeten ende nën potencial. Kjo bën që forcat e punës të përqendrohen në punë me produktivitet dhe paga të ulëta. “Është pikërisht ky element që shpjegon shkallën relativisht të lartë të punësimit në Shqipëri (sidomos në punë me nivel të ulët aftësish), të shoqëruar me paga të ulëta, si dhe prevalencën e marrëveshjeve të punës joformal”, thuhet në strategji.
Ndryshimi i kësaj situate është në varësi të disa reformave strukturore që duhen marrë nga ana e qeverisë, për të mbështetur lëvizjen graduale të ekonomisë shqiptare drejt nën-sektorëve me vlerë të shtuar dhe paga më të larta. Megjithatë, për të trajtuar disa nga problematikat në këtë fushë, qeveria parashikon të bëjë disa ndërhyrje në 4 vitet e ardhshme, duke ristrukturuar totalisht zyrat e punësimit dhe zgjerimin e gamës dhe shtrirjes së shërbimeve dhe programeve aktive të tregut të punës.
Zgjerimin e mbulimit, përfshirjes dhe efektivitetit të shërbimeve të punësimit dhe arsimimit dhe formimit profesional për të rinjtë dhe të rriturit përfshirë dhe popullsinë e rrezikuar për përjashtim. Synohet gjithashtu që të aplikohet një metodë gjurmimi për të gjithë ata që nuk kërkojnë punë në mënyrë aktive. (SCAN)