Reklame:

Lajthia, “ari” i brezave te ardhshem!

 Mamer Seferi, pronar i kompanisë “AL UNITED”, një banor nga fshati Llacë në Strugë të Maqedonisë së Veriut, pas 40 vitesh qëndrimi në mërgim, fillimisht në Australi e pastaj në Danimarkë, vendosi përfundimisht të kthehet bashkë me familjen në vendlindje, për të investuar në kultivimin e lajthive, por edhe për të çuar në vend atë thënien e moçme shqiptare “guri i rëndë peshon në vendin e vet”

Investimi në plantacion lajthish, nëse zhvillohet me kujdes, në afat të gjatë mund të sjellë fryte dhe fitime për të paktën 50 deri në 60 vjet. Frutat e lajthisë mund të ruhen për një kohë më të gjatë dhe për to ka mungesë në treg. Kultivimi i lajthisë mund të jetë biznes kryesor i një familje, si dhe mund të sigurojë të ardhura shtesë në varësi sa hektarë tokë do të mbillen. Por, megjithatë, kërkon një durim më të madh për shkak se rezultatet dhe rendimentet më të mëdha vijnë pas disa viteve. Ky biznes nuk kërkon ngutje, por përkushtim dhe vullnet.

Mamer Seferi, pronar i kompanisë “AL UNITED”, një banor nga fshati Llacë, pas 40 vitesh qëndrimi në mërgim, fillimisht në Australi e pastaj në Danimarkë, vendosi përfundimisht të kthehet bashkë me familjen në vendlindje, për të investuar në kultivimin e lajthive, por edhe për të çuar në vend atë thënien e moçme shqiptare “guri i rëndë peshon në vendin e vet”.

Leverdia e kultivimit të lajthisë

Kompania “AL UNITED” nga Struga, në fakt është edhe pioniere e kultivimit të lajthive tek ne në aspektin e ofrimit të rrënjëve me certifikatë, të lëshuar nga kompanitë italiane, të cilat ofrojnë edhe logjistikën dhe ndihmën për të gjithë procesin e prodhimtarisë. Ajo është në kontakt të vazhdueshëm me partnerët italianë, të cilët dy deri në tri herë në vit vizitojnë Maqedoninë e Veriut. Ata mbajnë edhe seminare të rregullta për të ndihmuar, për të informuar dhe për të nxitur të gjithë të interesuarit, por pa i kushtëzuar blerësit e fidanëve me grumbullimin e lajthive. Kultivuesit, megjithatë, janë të lirë që të zgjedhin se ku dhe si do t’i shesin frutat.

Njëherësh, kjo kompani është në përfundim e sipër edhe të procesit të ndërtimit të një qendre moderne të grumbullimit të lajthive në Strugë që pritet të ngrihet edhe me ndihmën e fondeve IPARD. Me ndërtimin e saj, prodhuesve të lajthisë në të gjithë vendin do t’iu lehtësohet tejmase edhe puna e tyre, për shkak se në një vend do të mund të fitojnë shërbimet e grumbullimit, thyerjes, pastrimit të lajthive konform standardeve perëndimore, ku edhe do të kalibrohen apo do të ndahen në bazë të peshës dhe cilësisë, për të bërë gati për konsum dhe shitje.

Mamer Seferi, përfaqëson një histori suksesi, për shkak se të braktisësh sot mërgimin dhe të investosh në vendlindje nuk është edhe pa sfida. Me shembullin e tij, ka promovuar sipërmarrjen individuale, duke filluar që në Australi me biznesin e ndërmjetësimit të pasurive të patundshme, e deri në vendlindje me kultivimin e lajthive. Vendimin për t’u kthyer nuk e ka pasur të lehtë, pasi që të gjithë fëmijët kishin mbaruar universitete prestigjioze në Kopenhagë dhe në Londër dhe përshtatja e tyre në kushtet e këtushme ka qenë një përvojë sa e vështirë, po aq edhe me shumë të papritura.

Mamer Seferi thotë se ideja për këtë biznes i lindi para 12 vitesh pas ndjekjes së një seminari me italianët lidhur me mundësitë dhe potencialin e madh që ka kultivimi i lajthive në Maqedoninë e Veriut, por edhe në Shqipëri dhe Kosovë. Italianët synojnë që ngadalë të zvogëlojnë primatin botëror të Turqisë në këtë veprimtari, e cila për shkak të ofertës së madhe në treg, kontrollon edhe çmimin. Si rrjedhojë, në të ardhmen pritet që gradualisht, Europa të ulë varësinë nga prodhimtaria turke. Lajthia, në fakt, paraqet një nga frutat shumë të vlefshme që ia vlen të mbillet dhe kultivohet edhe në hapësirat ballkanike. Për shembull, vetëm në Serbi, kompania “Nutella” ka mbjellë mbi 2000 hektarë me lajthi, ndërsa te ne aktualisht ka mbi 400 hektarë, prej të cilave mbi 40 hektarë janë mbjellë nga kompania “AL UNITED”.

Ia vlen të kthehesh në vendlindje

Në pyetjen se sa guxim nevojitet që të kthehesh në vendlindje dhe të lësh botën perëndimore, ku gjërat funksionojnë më mirë se në shtetet e Ballkanit, ai shprehet se në bashkëbisedim dhe pajtueshmëri edhe me dy djemtë, morën vendimin të kthehen.

“Ia vlen, pse jo, që të kthehesh këtu. Nëse u kthehemi vështirësive të caktuara në fillimin dhe zgjerimin e biznesit, mund të them se kur ka dëshirë dhe vullnet, edhe të gjithë pengesat që paraqiten me kohë zgjidhen.

Në lidhje me ecurinë e biznesit tonë këtu nuk mund të them se kemi hasur në probleme më të mëdha, përveç atyre të zakonshme, siç ndodh edhe te të gjitha bizneset e tjera. Nëse mund të flasim për probleme, atëherë edhe ne, si në pjesën më të madhe të bizneseve vendase, na brengos mungesa e fuqisë punëtore, për shkak të ikjes së madhe të rinisë jashtë vendit. Ofertat tona për pagë 400 euro, megjithatë nuk ndikojnë që të rinjtë të mos largohen”, shton ai.

Lidhur me fillimet e biznesit të tyre, zoti Seferi tregon se investimi i tyre ka qenë i bazuar në biznes-plane dhe analiza të qëndrueshme të vetë italianëve, të cilët kanë ardhur për tre vite me radhë në Maqedoninë e Veriut për të konstatuar se këtu ekzistojnë kushte ideale për kultivimin e lajthive. Nismën për këtë biznes e kanë përforcuar edhe analizat e Institutit slloven nga Lubjana, për leverdishmërinë e mbjelljes së llojeve të caktuara, klimën, për truallin e përshtatshëm etj.

“Këtë biznes vendosëm ta nisim duke u mbështetur edhe në faktin se lajthia është fruta e vetme që shitet dhe blihet në bursat botërore, që ka përdorim të madh jo vetëm në industrinë ushqimore, por edhe në mjekësi, kozmetikë, ndërsa vaji i saj ka çmimin më të lartë se çdo vaj tjetër. Për këtë arsye, pritet që kërkesa për lajthinë të rritet gjithnjë e më tepër në vitet e ardhshme”, sqaron Seferi.

Interesimi i fermerëve vendas po shtohet

Lidhur me përhapjen e kësaj kulture bujqësore në vend, Mamer Seferi na informon se interesi i fermerëve vendas në Maqedoninë Lindore, konkretisht në rajonet e Kavadarit, Prilepit, Gjevgjelisë, Koçanit, është shtuar. Vitet e fundit, edhe në Maqedoninë Perëndimore, sidomos në Pollog, kultivimi i lajthisë po e gjen rrugën zgjerimit.

“Për dallim prej kulturave të tjera bujqësore që me vite kanë problem me plasmanin ose me shitjen e sigurt, ky problem nuk ekziston me lajthitë, sepse çdo herë kanë një shitje të sigurt. Një rrethanë lehtësuese është edhe mundësia për ta shitur vitin tjetër, nëse sivjet ajo nuk ka ecur në treg. Lajthitë janë si floriri, i cili e ruan vlerën sa herë që e shet”, saktëson Seferi.

Sa u përket mundësive dhe kostos së një investimi për të kultivuar lajthitë, të gjithë të interesuarit duhet të sigurojnë tokën, qoftë në pronësi të tyre, lejen për shfrytëzimin e tokës nga familjarë apo të njohur të tjerë, apo edhe të marrin tokë me qira prej shtetit me qëllim që ta kenë më lehtë në fillim të fitojnë rregullisht subvencione nga shteti për gati të gjitha aspektet e prodhimtarisë. Një pjesë e madhe e investimit apo gati gjysma do të mbulohet fillimisht vetëm nga subvencionet e shtetit. Pra çdo gjë që arrin të dokumentohet dhe dëshmohet me faturë, mund të përfitojë subvencione.
Një argument shtesë në favor të kultivimit të lajthisë është edhe fakti se lajthinë e mbjell babai dhe mund të shfrytëzojë më tej edhe djali, por edhe nipi, për shkak se një trung i lajthisë, me kalimin e kohës, do të ripërtërihet.

Për ata që nuk kanë njohuri mbi lajthinë

Lajthia fillon të japë rendiment në vitin e tretë të saj. Është mjaft rezistente ndaj ngricave, nuk kërkon shumë ujë për vaditje dhe nuk ka probleme as me insektet dhe keqbërësit e tjerë. Një përllogaritje e thjeshtë tregon se për dy hektarë tokë nevojitet një investim prej 400 deri 500 eurosh për sistemin e vaditjes, pa llogaritur pompat. Në total, për dy hektarë tokë të mbjella me lajthi, nevojiten afro 4200 euro, ndërsa për një hektar nevojiten afër 2100 euro, nëse nuk llogarisim këtu edhe sigurimin e tokës bujqësore.

Një ndihmesë e madhe për fermerët fillestarë, por edhe për të gjithë të tjerët, paraqesin edhe subvencionet e shtetit. Nëse ato kultivohen në lartësi mbi 750 metra mbi nivelin e detit, atëherë fitohen mbi 70% subvencione për fidanët e mbjellë, ndërsa nën këtë lartësi, fitohen nën 55% të të ardhurave për fidanët. Kjo nënkupton se nëse investimi kushton 1000 euro vetëm për fidanët, në fakt ju investoni vetëm 450 euro, ndërsa 550 euro do të fitoni në emër të subvencioneve.

Kusht për të fituar subvencionet, duhet që prej vitit të dytë të bëhet kultivimi edhe prej 33 mijë dinarë për hektarë, fitohen të ardhura edhe për sistemet për vaditje etj. Një trung lajthie, për një vit jep 1 kilogram rendiment, pas pesë vitesh, 2.5 kilogramë rendiment, ndërsa pas gjashtë vitesh dyfishohet për çdo vit rendimenti i saj. Pas dhjetë vitesh ajo jep në mesatare 15 deri 18 kilogramë lajthi për një trung. Çmimet e shitjes së një kilogrami të lajthisë variojnë 2.5-2.6 euro dhe 3.7-3.8 për kilogram në varësi nëse janë të thyera dhe të pastruara apo jo. (Monitor)