Reklame:

Mbi 111 mije tone fruta-perime u eksportuan gjate 1 viti nga Myzeqeja!

Grupi i perimeve vazhdon të ruajë pozitat e ‘kampionit’ në eksportin e prodhimeve tona bujqësore.

Drejtoria e Shërbimeve të Ekstensionit Vlorë, ka bëre të ditur se “mbi 111 mijë tonë fruta-perime janë eksportuar nga rrethi i Lushnjës vetëm në harkun kohor njëvjeçar (tetor 2018-tetor 2019).

Ekspertët shprehen se, në totalin e eksporteve bujqësore bëjnë pjesë të gjitha prodhimet që nga patatet, lakra, qepa, domatet, spinaqi, preshi, karotat, mollët, dardhat, kumbullat etj.).

Sipas tyre, sasia e produktit që kryeson eksportet më të mëdha është në varësi të sezonit të prodhimit, çka do të thotë se për këtë periudhë kryesojnë perimet e sezonit të vjeshtë-dimrit, kundrejt atyre sezonit të verës ku bëjnë pjesë domatet, kastraveci, speci etj..

Harta e shteteve ku eksportohen produktet bujqësore po zgjerohet ndjeshëm në vendet e Bashkimit Europian por nuk mbeten pas edhe shtete të tjera nga kontinentet e tjerë. Drejtoria e Shërbimeve të Ekstensionit Vlorë, bën të ditur se, prodhimet bujqësore nga qarku Lushnjë, shkojnë në Itali, Poloni, Gjermani, Suedi, Çeki, Kroaci, Kosovë, etj.

Zgjerimi i eksporteve bujqësore tashmë është një fakt i pamohueshëm dhe një tregues inkurajues për të gjithë fermerët. Pasi eksporti është një lloj certifikimi që u bëhet prodhimeve “Made in Albania” dhe është garanci për këdo që i konsumon ato.

Ndërsa për herë të parë ka nisur eksporti në SHBA i djathit, si dhe është arritur marrëveshja me Kinën, për t’i hapur rrugë eksportit të nënprodukteve të mjaltit.

Këto zhvillime pozitive nuk janë të rastësishme. Politikat që ka ndjekur qeveria në ndihmë të bujqësisë dhe zhvillimit rural po i japin frytet e tyre. Stimulimi dhe forcimi i pikave të grumbullimit si hallka kyçe mes fermerit dhe tregut po jep rezultate. Po kështu edhe mbështetjen përmes Skemës Kombëtare, Programit IPARD, heqjen e TVSH-së për inputet bujqësore, heqjen e TVSH-së për makineritë dhe investime të tjera në infrastrukturën ujitëse e kulluese, janë mbështetje që po rivitalizojnë bujqësinë shqiptare. (ATA)