Italia do të jetë vendi i parë në botë që do të bëjë ndryshimet klimatike një lëndë të detyrueshme për nxënësit e shkollave.
“Shkollat shtetërore do të fillojnë të përfshijnë agjendën e OKB-së për zhvillim të qëndrueshëm në sa më shumë lëndë që të jetë e mundur, me një orë në javë që do ti dedikohet temave si ngrohja globale dhe ndikimi i njeriut tek planeti.
Lëndë të tjera, përfshirë këtu Gjeografinë, Matematikën dhe Fizikën, po ashtu do të shpjegohen nga perspektiva e qëndrueshmërisë”, tha ministri italian i arsimit, Lorenzo Fioramonti.
“Unë dua ta bëj sistemin italian të arsimit, të parin që vendos mjedisin dhe shoqërinë në qendër të gjithçkaje që ne mësojmë në shkollë”, shtoi ai.
Fioramonti është një anëtar i lëvizjes pro-ambjentit, pesë yjet dhe mbështetësi më i zëshëm i qeverisë për politikat e gjelbra dhe më herët është kritikuar pasi ka propozuar taksa për biletat e avionëve, plastikën dhe ushqimet me sheqer në mënyrë që të gjenerohen fonde për edukimin dhe mirëqënien.
Madje edhe projektbuxheti i qeverisë për 2020, i prezantuar këtë javë në parlament, përfshinte një taksë mbi plastikën dhe pijet me sheqer. Sondazhet kanë treguar se 80 për qind e italianëve mbështesin taksën mbi sheqerin dhe fluturimet por prodhuesit e industrisë kundërshtojnë taksën mbi plastikën duke argumentuar se masa penalizon produktet por jo sjelljen dhe rëndon mbi konsumatorët, punëtorët dhe bizneset.