Reklame:

Kultivimi i specit djeges!

Speci (Capsicum spp.) ka një numër të madh formash biologjike, me qendrën e tij të origjinës në zonën tropikale të Amerikës, midis Meksikës e Bolivisë. Në kontinentin e vjetër është futur nga Kristofor Kolombi. Evropa filloi ta vlerësojë specin djegës rreth gjysmë shekulli pas futjes së tij, duke e përdorur fillimisht si diçka shumë të rrallë, në formë të një piperi të kushtueshëm për ruajtjen dhe aromatizimin e ushqimeve. Në vendet e Mesdheut, speci djegës gjendet në zonën më të preferuar të përdorimit të tij, duke hyrë me forcë në rregullat dhe zakonet e të ushqyerit, bilè shpesh duke i ndryshuar ato në mënyrë rrënjësore.

Shije antike shumë e vlerësuar

Speci djegës, i quajtur ndryshe “droga e të varfërve”, ka qenë përhapur fillimisht në Azi e më pas në Afrikë, si pasojë e shkëmbimeve tregtare. Është fakt se dieta e të ushqyerit bëhet më shumë pikante, sa më shumë spostohesh drejt zonave tropikale, klima e të cilave favorizon shfaqjen e patologjive gastrike, ku së bashku me salmonelën bashkëjeton edhe kolera e baktere të tjera, që kanë veprim të ngjashëm, bile në kushte shumë të përshtatshme për zhvillimin e tyre.

Nuk është i rastit konstatimi se njerëzit e mësuar me konsumin e specit djegës, marrin doza të forta kapsicine (lë- ndë me origjinë djegëse), si dhe preken më pak nga epidemitë endemike. Ndërmjet shumë vlerave të tjera, speci djegës është provuar se ka veti bakterostatike. Me këto veti, shumë të spikatura, lidhet dhe konsumi i madh për frymë nga popujt aziatikë, latinoamerikanë e afrikanë. Ky realitet gjen një refuzim gati të plotë nga vendet nordike.

Ndërsa në vendin tonë, sidomos në zonat jugore, speci djegës është historikisht i pranishëm në kopshtet familjarë, ku dhe është konsoliduar tradita e gatimit. Vetëm pak kohë më parë, si pasojë e rritjes në mënyrë konstante të mirëqenies së njeriut modern, ka lindur përsëri nevoja e rivlerësimit të “shijeve antike” dhe të ushqimeve të thjeshta.

Në ditët e sotme, shpesh vlerë- sohet dieta mesdhetare e të ushqyerit, ripërsëritet dhe rëndësia e cerealeve, por duhet theksuar se ka dalë jashtë mode konsumi i tërshërës, thekrës, melit dhe është kthyer moda e të konsumuarit të krundeve. Në këtë vështrim, nuk kanë munguar prirjet për t’u dhënë hapësirë të re vlerave të specit djegës, sidomos për vetitë e tij çudibërëse.

Vendet më të preferuara të specit djegës janë zonat e ngrohta, ku ai mund të kultivohet pa probleme në fushë të hapur, jo vetëm se kërkohet nga tregjet lokale, por edhe për mundësinë e eksportit drejt vendeve veriore, të cilat kanë rritur kërkesat për këtë produkt. Kjo mund të shpjegohet kryesisht me imigrimin e popullsisë ekstrakomunitare, e cila nuk e ndryshon thellësisht mënyrën e të ushqyerit.

Por, me daljen në treg të specit djegës, është e nevojshme të jepen edhe informacionet e domosdoshme lidhur me fuqinë tregtare të tij, si alternativë reale për konsum në gjendje të freskët, duke marrë në konsideratë gamën e gjerë të produkteve përfundimtare, të cilat mund të jenë si pasojë e shkallës së djegësirës, morfologjisë dhe përmasave të frutave.

 Ku formohet shija djegëse e specit

Shija djegëse e frutit shkaktohet nga alkaloidi i quajtur kapsicinë, që formohet nga qeliza të shumta epidermike, të lokalizuara në shtratin e farave, ku gjendet placenta dhe shtatë dhomëza të ndërmjetme. Kapsicina, në gjendje të pastër paraqitet në formë grimcash shumë të lehta, me ngjyrë të bardhë e pa ndonjë aromë. Prania e saj në perikarp dhe në fara lidhet me mbetjet e shtratit lulor (i farës). Alkaloidi është i tretshëm në alkool etilik dhe në vajra bimore. Eshtë pranuar se pjesa më e madhe e alkaloidit prodhohet brenda pak ditësh nga formimi i luleve (lidhja e frutave); një rritje e vogël vihet re edhe gjatë pjekjes fiziologjike të frutave. Shprehja e kë- saj veçorie mund të ndikohet dukshëm nga kushtet klimatike. Një gjendje thatësire e zgjatur, përveç problemeve të përgjithshme, që lidhen me rritjen e pakët të bimëve e frutave, çon edhe në rritjen e përqendrimit të kapsicinës. Në të kundërt, në kushte të një regjimi ujor të tepërt, vihet re pakësim i djegë- sirës në frut, për shkak të hollimit të alkaloidit në frutat me përmasa më të mëdha.

Si kultivohet

Teknika e kultivimit të specit djegës është pothuaj e njëjtë me atë të specit të zakonshëm. Ka kërkesa të mëdha për temperaturë e ndriçim. Temperatura optimale për zhvillim është 20-250 C, ndërsa ajo minimale biologjike 10-120C. Për mbirjen e farës nevojiten 8-15 ditë. Mbjellja bëhet me fidanë, që përgatiten në shtretër të nxehtë ose në kontenitorë gjatë shkurtit. Mosha e fidanit për mbjellje duhet të jetë rreth 40 ditë. Mbjellja e tyre bë- het në toka të freskëta, mesatarisht të ngjeshura, të kulluara mirë e me pH 5.5-7.

Fidanët mbillen 70 cm midis rreshtave dhe 50 cm midis bimëve në rresht. Për kultivarët me zhvillim të fuqishëm, është e nevojshme të përdoret sistem mbështetës. Speci djegës kërkon plehërim të balancuar, me rreth 250 kg/ha N, 50 kg fosfor dhe 250 kg potas. Bimët kanë sistem rrënjor të zhvilluar dobët, prandaj është e nevojshme të ndërhyhet me ujitje të shpeshta. Luftimi i barërave të këqija mund të bëhet me anë të mulçirimit me material plastik me ngjyrë të zezë ose nëpërmjet përdorimit të herbicideve selektivë.

Këto të fundit mund të përdoren para mbjelljes (Trifluralin), ose pas mbjelljes (Chlorthal dimetil). Speci djegës në përgjithësi dëmtohet nga po ato sëmundje e dëmtues që preket speci i zakonshëm (i ëmbël), por është më rezistent. Nga sëmundjet kërpudhore përmendim kalbëzimin e qafës (Pythium), që shkakton deri zhdukjen në masë të bimëve në farishte. Në fushë të hapur bimët mund të preken nga Phytophtora capsici ose Verticillium dahlie. Jo më pak të vogla janë edhe dëmtimet e shkaktuara nga viruset, që mund të transmetohen edhe me anë të farës.

Vjelja zakonisht bëhet me dorë dhe mund të fillojë kur frutat të kenë arritur përmasat e llojit; në përgjithësi pas rreth 120 ditësh nga mbjellja në fushë. Kur prodhimi destinohet për konsum të freskët, vjelja bëhet kur frutat të kenë peshë mesatare 18-25 g. Frutat vilen të papjekur plotësisht, kur kanë marrë ngjyrë të gjelbër të errët ose të çelët, si limon. Normalisht bëhen 5-6 vjelje, çdo 10-14 ditë. Kur destinacioni ndryshon nga ai për konsum të freskët, frutat vilen në gjendje të pjekur, bile dhe pjesë- risht të thara. Por prodhimi mund të vilet edhe nëpërmjet shkuljes së plotë ose prerjes së pjesshme të bimëve. Nga 1 ha i mbjellë me spec djegës mund të merren 200-500 kv/ha (çdo bimë jep 0.5-2.5 kg).