Reklame:

“Plastika nuk le vend per jeten” – BE nis fushaten e ndergjegjesimit ne Shqiperi

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri nisi sot fushatën mjedisore Sot per Mjedisin” për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me mbrojtjen e mjedisit, ndotjen plastike dhe për të inkurajuar alternativat ndaj plastikës me një përdorim.

Nuk kishte vend më të mirë se Muzeu i Shkencave të Natyrës “Sabiha Kasimati” për të çelur fushatën me pjesëmarrjen e Ambasadorit të BE-së Luigi Soreca, Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi, Ambasadorit austriak Christian Steiner, Ambasadorit gjerman Peter Zingraf, Ambasadores suedeze Elsa Håstad, projekteve të financuara nga BE-ja, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe vullnetarëve.

“Bashkimi Evropian ka miratuar rregulla të reja për të ndaluar objektet plastike me një përdorim që prej vitit 2021 dhe shqiptarët duhet të përfitojnë nga i njëjti nivel i mbrojtjes së mjedisit.

BE-ja po punon me shtetet anëtare për të përmirësuar mirëqenien, jetën e përditshme dhe mundësitë për shqiptarët.

Sepse ata e meritojnë dhe sepse e afron edhe më shumë vendin me standardet e BE-së. Kam besim në veçanti tek rinia shqiptare që ajo të shërbejë si shembull për pjesën tjetër të komunitetit.

Bëhuni ndryshimi që dëshironi të shihni, dhe veproni për një Shqipëri më të pastër dhe më të qendrueshme. Është vendi juaj, është Shqipëria juaj.”, tha Ambasadori i BE-së Luigi Soreca.

Nën sloganin “Plastika nuk lë vend për jetën”, fushata dymujore e organizuar nga Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri, synon të rrisë ndërgjegjësimin për mbrojtjen e mjedisit dhe ndotjen nga plastika, si dhe të inkurajojë alternativa ndaj plastikës me një përdorim.