Reklame:

Lejet e mjedisit “ndajne” biznesin nga mjedisoret

Bashkitë kërkojnë decentralizimin e lejeve mjedisore të tipit C, ndërkohë që Ministria e Mjedisit propozon eleminimin e tyre, duke e konsideruar si “çlirim” për biznesin.

Këta të fundit mbështesin të 2 propozimet, por zgjedhin variantin e ministrisë.

Ndërkohë që, ekspertët e mjedisit thonë se nevojitet vetëm forcim i sistemit aktual, duke i konsideruar kapacitetet e bashkive të pamjaftueshme për zbatimin e kësaj kompetence.

Lorena, një stomatologe që ushtron aktivitetin në qytetin e Tiranës paguan 2 mijë lekë në vit në llogarinë e Drejtorinë Rajonale të Mjedisit, një tarifë e vendosur me vendim qeverie për lejen mjedisore që ajo disponon.

“Përveç kësaj tarife, paguaj edhe për kompaninë e autorizuar për trajtimin e mbetjeve, të cilën e kontraktoj për heqjen e mbetjeve të rrezikshme që dalin gjatë punës time”, thotë ajo, teksa pohon se ky është një detyrim që rrjedh nga leja mjedisore. Klinika dentare e Lorenës është një prej bizneseve të vegjël të cilët sipas legjislacionit aktual, kanë detyrim të pajisen me leje mjedisore të tipit C, që aktualisht lëshohen nga Drejtoritë Rajonale të Mjedisit.

Furrat e bukës, lavazhet, magazinat, pastrimet kimike, serviset e vogla të makinave janë disa prej kategorive të biznesit, që sot nuk mund të ushtrojnë aktivitetin nëse nuk pajisen me këtë dokument që jepet nga strukturat e qeverisjes qendrore.

Por, së fundmi bashkitë kanë kërkuar decentralizimin e këtyre lejeve, me qëllim marrjen e kompetencave për dhënien dhe kontrollin e tyre, ndërkohë që Ministria e Mjedisit ka dalë me një tjetër propozim që parashikon eleminimin e tyre për 5500 subjekte, duke e konsideruar këtë masë si “çlirim” për biznesin.

KËRKESA PËR DECENTRALIZIM

Në datën 26 shtator, teksa zhvillohej mbledhja e Këshillit Konsultativ midis Qeverisjes Qendrore dhe Vendore, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj kërkoi decentralizimin e lejeve mjedisore të tipit C, duke transferuar këtë kompetencë te Njësitë e Qeverisjes Vendore.

“Është viti i pestë dhe ne ende nuk kemi decentralizimin e lejeve mjedisore. Se ç’punë ka qeveria?! Qeveria duhet të bëjë politikat! Qeveria nuk ka arsye përse duhet të japë leje mjedisore për furrën e bukës në katin e parë”, tha Veliaj, duke vënë në dukje se vlerësimi nëse kjo leje duhet dhënë apo jo, bëhet më mirë nga strukturat vendore ku këto biznese ushtrojnë aktivitetin.

“Kryetari i bashkisë nuk mund të japë gjëra të papërgjegjshme. Ai është zgjedhur nga populli dhe nesër do shkojë prapë aty, kështu që do jetë i përgjegjshëm kur jep lejen”, argementoi Veliaj. Kërkesa për decentralizimin e lejeve mjedisore mirëpritet nga biznesi i vogël. “Biznesi e ushtron aktivitetin në një bashki apo në një zonë të caktuar industriale, brenda territorit të bashkisë. Bashkitë e dinë shumë më mirë se çfarë bëhet dhe kujt i jepet kjo leje, ndaj ne themi që decentralizimi është më i mirë”, thotë kreu i Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm të Shqipërisë, Albert Nasto.

“Sa më shumë të ngushtohet rrezja e dhënies së lejeve, aq më e cunguar dhe më e rrezikshme do të bëhet dhënia e tyre. Ne nuk duam që gjithçka të përqëndrohet në një dorë, pra në ministri të merret çdo gjë, qoftë për lejet e tipit C apo edhe për leje të tjera”, shton Nasto.

Kreu i shoqatës sjell shembullin e centralizimit të tatimeve, që me kërkesën e tyre i ka kaluar Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, një institucion në varësi të Minitrisë së Financave dhe Ekonomisë.

“Tani shikojmë që DPT nuk kontrollon dot asgjë. Ne bëmë gabim që propozuam centralizimin, por në atë kohë shikonim që pushteti lokal, por edhe deputetë të ndryshëm apo politika kërkonte dënimin e njerëzve që i kishte kundërshtarë, por kemi bërë gabim”, thotë Nasto. Probleme të ngjashme në dhënien dhe monitorimin e zbatimit, konstatohen nga Kontrolli i Lartë i Shtetit edhe në fushën e lejeve mjedisore, në 2 auditime të bëra në Drejtoritë Rajonale të Mjedisit Korçë dhe Gjirokastër.

“Drejtoria Rajonale e Mjedisit Korçë nuk ka të evidentuar listën e plotë të subjekteve të pajisur me Leje Mjedisore të Tipit C”, thuhet ndër të tjera në raportin e auditimit për aktivitetin e ushtruar nga ky dikaster në periudhën  2015-2017. Edhe në lidhje me procedurat e miratimit të lejeve të tipit C, KLSH ka konstatuar një sërë magësish në miratim dhe vendosjen e kushteve për mbrojtjen e mjedisit, ndërkohë që për periudhën e audituar, DRM Korçë nuk kishte një program tërësor pune për bashkëpunimin dhe kryerjen e kontrolleve të përbashkëta, përveç disa rasteve.

Sipas KLSH, edhe DRM Gjirokastër nuk ka mbajtur dhe nuk ka përditësuar regjistrin me të dhënat për subjektet e pajisura me leje mjedisi tipi C. “Në 264 raste, për periudhën e audituar (2015-2016), subjektet e pajisura me leje mjedisi tipi C, nuk kanë paguar tarifën vjetore në vlerën totale 528,000 lekë”, është një prej shkeljeve të shumta të konstatuara.

Ekspertët e pavarur në fushën e mjedisit pohojnë se sistemi aktual ka mjaft probleme në drejtim të lejeve mjedisore. “Procesi i lejeve të mjedisit ka qenë gjithmonë i diskutueshëm për çështje të mangësive që lejet kanë patur gjithmonë në vlerësimin mjedisor, kryesisht të projekteve të mëdha apo të impaktit të tyre.

Ka patur përmirësime, por problematika kryesore mbetet zbatimi dhe monitmorimi i zbatimit të lejeve në realitet”, thotë Mihallaq Qirjo, drejtor ekzekutiv i Qendrës Rajonale të Mjedisit. Por sipas tij, “diksutimi i tanishëm nuk sjell ndonjë element përmirësues në raport me cilësinë apo në raport me cilësinë e vlerësimit të lejeve, për arsye se shumica e bashkive kanë mangësi të theksuara në burimet e tyre njerëzore dhe stafin teknik që është përgjegjës për mjedisin”.

“Me ndonjë përjashtim, bashkitë i kanë stafet e tyre të mjedisit të përfshirë brenda strukturave të shërbimeve publike e për rrjedhojë e kanë pothuajse të pamundur vlerësimin e ndikimit mjedisor të atyre lejeve, qoftë edhe të tipit C që janë me ndikime të vogla apo shumë më minimale sesa A-a dhe B-ja”, thotë ai. Në këtë linjë është edhe profesori i Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Aleko Miho. “Që kjo kompetencë t’i kalojë bashkisë, mendoj se bashkia nuk  e ka strukturën e duhur, sikurse e ka Agjencia e Mjedisit një drejtori përkatëse”, thotë prof. Miho.

BIZNESET, PA LEJE MJEDISORE

Por, 4 ditë pas kërkesës së Veliajt, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi teksa prezantonte paketën antikorrupsion në mjedis, bëri publik një tjetër propozim, duke kërkuar që lejet e tipit C, për shkak të ndotjeve të lehta që shkaktojnë në mjedis, të mos ekzistojnë më.

“Mendojmë se ka ardhur koha që edhe me forcimin e sistemit të dhënies së lejeve për çdo aktivitet tjetër, një grup biznesesh, individësh që kanë biznes të vogël, të mos jenë më fare subjekt i ligjit të lejeve mjedisore. Lejet e tipit C të eliniminohen fare dhe elementë mjedisore të jenë pjesë e lejeve që ata marrin për shfrytëzim”, tha Klosi.

“Me këtë vendimmarrje ne lirojmë plot 5500 operatorë të vegjël,  duke ia hequr detyrimin që marrin leje mjedisore, duke ia hequr një detyrim përsëri abuziv që të raportonin dy herë në vit, kishin një ekspert mjedisor që shkonte u bërtiste dhe merrte tarifë sadoqoftë ajo”, shtoi ai.  Gëzim Peshkëpia, kryetar i Shoqatës së Prodhuesve të Bukës, që mbron interesat e këtij biznesi, thotë se heqja e lejeve do të ishte një vendim i drejtë. “Ne, kohët e fundit kemi bërë investime dhe kemi instaluar furra moderne me avull, ndaj mund të themi që jemi biznese që nuk shkaktojmë ndonjë ndotje”, thotë Peshkëpia. “Por, edhe fakti që ne pajisemi me këtë leje është ngarkesë për biznesin.

Vetëm fakti që dikush mund të vijë e të kontrollojë zbatimin e saj është ‘dhimbje koke’. Mirë është që të hiqen fare”, shton ai..  Edhe Nasto, mes opsionit për decentralizim apo eleminim, zgjedh të dytin. “Pajisja me leje të tipit C është një mundim shumë i madh për biznesin. Që të shkosh të marrësh një leje mjedisi është një kalvar i gjatë, por ka edhe kosto financiare, përveç kostove fizike. Tirana ka 30% të biznesit, por Durrësi ka tjetër qendër, që do të thotë se kjo është kosto për të”, thotë Nasto. “Çdo propozim që bëhet për lehtësimin e dhënies së lejeve të caktuara do ta ndihmonte shumë biznesin, ndaj për këtë opsion ne jemi me ministrinë”, shton kreu i shoqatës. Por, sipas prof. Mihos, eleminimi i këtyre lejeve nuk është i drejtë, pasi çdo aktivitet ka ndikim në mjedis.

“Nëse nuk iu vë një lloj detyrimi mjedisor, edhe abuzojnë. Lavazhi përshembull padiskutim është ndotës i madh, pasi në këto biznese përdoren detersivë të pakontrolluar, por edhe furra e bukës gjithashtu”, thotë prof. Miho. “Një furrë buke ka ujëra larës, që derdhen diku. Ujërat larës janë gjithmonë të ndotur pasi përdoren detersivë. Në fakt edhe një familje përdor detersivë, por një furrë është një biznes dhe gjithmonë këtë sasi e ka më të madhe. Këto ujëra mblidhen në sistemin e kanalizimeve dhe shkojnë në impiantin e përpunimit. Të tjera ndotje lidhen me shkëmbimin e nxehtësisë, që mund të jetë shqetësim sidomos kur është afër zonave të banuara”, shpjegon më tej profesori. “Unë gjykoj se për përmirësimin e klimës së biznesit, heqja e lejeve mjedisore nuk do të përbënte ndonjë favorizim  të madh.

Më shumë do të dëmtonte mjedisin sepse ul kontrollin që kanë ndërhyrjet në mjedis. Po ashtu, gjykoj se klima e biznesit nuk varet nga lejet e mjedisit.  Nëse bëjmë fjalë për ndërhyrje madhore, të atyre lejeve që janë të kategorive A dhe B, ato mund të jenë domethënëse, por për lejet që janë për kategori të vogla investimi dhe impakt të vogël në mjedis, se ka një element kontrolli pa shumë burokraci nuk gjykoj se do përfitonim ndonjë gjë nga heqja e tyre apo do të favorizohej biznesi”, thotë Qirjo.

“Nuk mendoj se ka qenë mjedisi, bllokuesi i zhvillimit akual të investimeve. Unë i takoj fushës së mjedisit, kështu që është e paarsyeshme në këndvështirmin tim të lehtësohen procedurat ndaj mjedisit, në një kohë që mjedisi ka qenë agresivisht i shfytëzuar deri më tani”, shton ai.

TË FORCOHET SISTEMI AKTUAL

Organizimi ekzistues, me mundësitë që ka vendi ynë, duhet forcuar më tej sepse kjo bën të mundur që të paktën në aspektin teknik, lejet të kenë një lloj kontrolli që sigurisht duhet forcuar edhe më tej”, propozon Qirjo, që ndan të njëjtin mendim me prof. Mihon. Po ashtu, ai thotë se forcimi i këtyre kapaciteteve për pushtetin vendor është më i vështirë, ndërkohë që edhe arkëtimi i tarifës që paguajnë bizneset për lejen mjedisore nuk do të ndihmonte aspak.

“Unë gjykoj që të ardhurat që vijnë nga tarifat që aplikohen për lejet e mjedisit janë minimale. Duke qenë se janë minimale, nuk mund të rrisin kapacitetet teknike, nuk mund të shtojnë staf në stukturat e bashkive.  Nga ana tjetër, këto të ardhura, në shumicën e rasteve shkojnë  në “thesin” e përbashkët të prioriteteve, ku mjedisi rankohet përgjithësisht ulët”, thotë Qirjo.

”Por, nëse vlerësojmë kështu, ndoshta do të ishte më eficente nga ana ekonomike, që lejet të mbaheshin të centralizuara sepse me këtë mundësi mund të kishim më shumë teknicienë të përfshirë në procesin e përgjithshëm të lejes, edhe cilësisht, por edhe si numër”, përfundon ai. (Nga Ola Mitre/SCAN Magazine )