Reklame:

Plastika kunder kanaçeve te aluminit, Kush do ta fitoje betejen? Nuk ka zgjidhje 100% te gjelber!

Kompanitë globale të shisheve të ujit po përpiqen të shtojnë përdorimin e kanaçeve të aluminit, që janë lehtësisht të riciklueshme, për të zëvëndësuar përdorimin e plastikës që ka ndotur oqeanet.  Pavarësisht se kjo duket si një zgjidhje e lehtë për mjedisin, nuk është një alternativë tërësisht e “gjelbër”. Kanaçet e aluminit mund të reduktojnë me të vërtetë mbetjet në oqean, por ato kanë gjithashtu një çmim ekologjik, pasi prodhimi i çdo kanaçeje nxjerr 2-3 herë më shumë karbon në atmosferë se sa shishet plastike.

Grupi francez, Danone, është kompania më e fundit që ka nisur të zëvëndësojë shishet plastike me kanaçe alumini për markat lokale të ujit në Britani, Poloni dhe Danimarkë. Kjo zhvendosje vjen ndërkohë që rivalë ndërkombëtarë si Coca Cola, Pepsi dhe Nestle, kanë lajmëruar gjithashtu disa versione të mbajtjes së ujit me kanaçe alumini. Industria e pijeve është përpjekur të reagojë ndaj irritimit të publikut prej skenave të mbetjeve të përmasave gjigante që kanë ndotur oqeanet.

Megjithatë, në pikëpamjen e veprimeve të gjelbra, zgjidhja nuk është bardhë e zi.  Duke rritur riciklimin e kanaçeve, kompanitë mund të dështojnë në reduktimin e gjurmëve të karbonit, ç’ka ilustron aktin e vështirë të “mashtrimit” që ato përballen për të bindur investitorët ambientalistë.  “Kjo është një dilemë”, thotë Ruben Griffioen, manaxher i paketimit të materialeve te Heineken, i cili shton se kompania po përpiqet të reduktojë si mbetjet plastike, ashtu edhe ndotjen në atmosferë.

Riciklimi i plastikës është më kompleks, pasi degradon dhe ka normë më të ulët të ripërdorimit se alumini, kështu që metali është parë si një alternativë më e gjelbër. Kanaçet kanë mesatarisht 68% përmbajtje riciklimi, krahasuar me vetëm 3% për plastikën, sipas Agjenisë së Mbrojtjes së Mjedisit në SHBA.

Nuk ka zgjidhje 100% të gjelbër

Markat e reja të ujit po përpiqen të përfitojnë nga ndryshimi. “Mananalu do të shpëtojë botën nga mbajtësit plastik të ujit dhe do nisë valën e re të ndryshimit”, shkruan faqja në web e kompanisë së ujit në kanaçe, të nisur nga aktori i Hollywood, Jason Momoa, i famshëm për filmin Aquaman. Një tjetër firmë, e quajtur “Liquid Death” reklamon kanaçet për mbajtjen e ujit dhe përdor slloganin “Vdekje e plastikës”.

“Industria e aluminit mund të përdorë argumentin se produkti është përgjithmonë i riciklueshëm dhe kanë të drejtë. Por alumini përdor sasi gjigante të energjisë elektrike dhe nxjerr gjithashtu gazra ndotës në atmosferë”, thotë Martin Barrow, drejtor i gjurmëve në mjedis te kompania britanike “Carbon Trust”.

Krahasimi i gjurmëve në mjedis të aluminit me plastikën është komplekse për t’u llogaritur, për shkak se prodhimi i metalit me energji hidrike në vend të lëndëve djegëse, redukton ndotjen në atmosferë dhe në të njëjtën kohë, ul nivelin e mbetjeve për shkak të riciklimit. Por, kur merren në vlerësim të gjitha llojet e metalit, kanaçet emetojnë dyfish gazra ndotës në atmosferë krahasuar me shishet plastike. Niveli më i lartë i ndotjes nga alumini është 1,300 gram dioksid karboni për një kanaçe 330 ml, sipas llogaritjeve të Reutes, që është ekuivalente me ndotjen që shkakton një makinë gjatë një distance prej 7-8 kilometra.

Një shishe plastike e së njëjtës përmasë, e përbërë me terefalat polietileni (PET), nxjerr 330 gram dioksid karboni. Bruce Karas, drejtor i Coca Cola për mjedisin dhe qëndrueshmërinë, tha se ekziston një presion ambientalist kontradiktor. “Kur kemi një material tjetër, shohim të gjithë matësit: gjurmët e karbonit, preferencat e konsumatorit, energjinë, ujin. Kemi një miks. Por kur kemi 5 gjëra pozitive dhe vetëm 1 negative, do të duhet të marrim vendime”, tha ai.

Alumini ka një ndotje më të madhe të atmosferës në prodhim, për shkak të energjisë që duhet në procesin e shkrirjes. Çështja bëhet më e vështirë, kur përfshihen elementë të tjerë si logjistika. “Duhet menduar për transportin, paketimin dytësor dhe kohën në magazinim”, tha Simon Lowden, ekzekutiv i Pepsi në iniciativën plastike.

Alumini është i lehtë dhe kanaçet përdorin hapësirën në mënyrë efektive. Për rrjedhojë, duhet më pak transport krahasuar me plastikën apo xhamin dhe më pak energji për të ftohur pijet në kanaçe.

Plastika do qëndrojë “mbret”

Pavarësisht se kanaçet po përbëjnë një sfidë ndaj industrisë 19 miliardë dollarëshe në vit të shisheve të ujit, ato nuk kanë gjasa të mbizotërojnë, sipas ekspertëve të industrisë.

Llogaritë e thjeshta ekonomike përbëjn një faktor të madh. Alumini është shumë më i shtrenjtë se plastika. Materiali bazë për një kanaçe është 25-30% më i shtrenjtë krahasuar me shishen plastike të të njëjtit volum. Zhvendosja në masë tek kanaçet do të rrisë kostot për kompanitë e pijeve, ku një pjesë me shumë gjasa do të kalojë tek konsumatorët, duke e bërë produktin më pak konkurrues ndaj rivalëve plastikë. Një tjetër faktor është komoditeti i konsumatorëve.

Njerëzit nuk i hedhin zakonisht shishet e ujit me një përdorim. Ndërkohë që po bëhet progres në teknologjinë e kanaçeve, shumica e tyre kur hapen qëndrojnë të tilla, ndërsa shishet plastike mund të mbyllen me tapë. Uji me shishe mund të shitet gjithashtu në disa përmasa, ndërsa kanaçet janë më të limituara.

Për rrjedhojë, gjigantët e pijeve po tregojnë kujdes. Në një shembull të kësaj qasjeje shumë të kujdesshme, Coca Cola po planifikon të nxjerrë në treg sasi të limituara të markës së ujit Dasani në kanaçe alumini këtë vit. Pavarësisht se kompanitë kanë nisur të shesin ujë në kanaçe, për të qetësuar ambientalistët, ato po përpiqen gjithashtu të transformojnë plastikën në një mënyrë të gjelbër. Shkencëtarët po krijojnë një përbërës të ri, që është më i lehtë për t’u shpërbërë në natyrë dhe që riciklohet.

Danone deklaroi se po zëvëndëson disa shishe plastike me kanaçe alumini për markat e ujit në Britani, Poloni dhe Danimarkë. Megjithatë, kompania që përdor 400,000 ton shishe plastike çdo vit, po përqëndrohet gjithashtu në riciklimin e plastikës dhe planifikon të përdorë mesatarisht 50% material të riciklueshëm në shishet e ujit deri në vitin 2025.

Nuk ka mjaftueshëm kanaçe

Një tjetër pengesë për zëvëndësimin në masë të shisheve plastike është se mund të mos ketë mjaftueshëm kanaçe, ndërkohë që shumë kompani të birrës dhe verës po kalojnë nga shishet e xhamit në kanaçe.

Prodhuesi më i madh në botë i kanaçeve, “Ball Corp”, që furnizon Coca Cola dhe Pepsi, po has vështirësi në përballimin e kërkesës. Kompania ka deklaruar se nuk e ka parë ndonjëherë këtë nivel të kërkesës.

Kompania i bëri të ditur investitorëve se planifikon të shtojë 4-5 miliardë kanaçe shtesë në kapacitet deri në mes të vitit 2021, nga 105 miliardë që është kapaciteti aktual. Ky projeksion i kompanisë nuk merr në konsideratë potencialin e sektorit të ujit.

Një zhvendosje prej vetëm 1% e pijeve nga shishet plastike dhe të xhamit në kanaçe, do të kërkonte një rritje prej 24 miliardë kanaçesh, sipas kompanisë. Ky ndryshim prej 1% do të rriste kërkesën për alumin me rreth 310,000 ton. (SCAN)