Kroacia dhe Shqipëria kanë përjetuar një rritje të shpejtë të turizmit, edhe pse të dyja mbeten ende shumë larg njëra tjetrës. Kroacia është më përpara Shqipërisë sa i takon infrastrukturës dhe zhvillimit të turizmit. Turizmi i rërës dhe ai i diellit i vendosin përballë sfidave të mëdha secilën prej këtyre vendeve, thotë FMN në një raport të fundit “Nxitja e rritjes në Ballkanin Perëndimor, Roli i Zinxhirit Global të Vlerës dhe Eksportet e Shërbimeve”, ku në një box të veçantë krahason modelet e turizmit të dy vendeve.
Si Kroacia, ashtu edhe Shqipëria kanë përjetuar një rritje të konsiderueshme të turizmit gjatë dy dekadave të fundit, edhe pse të dyja vendet janë në faza të ndryshme të zhvillimit të turizmit. Rritja e turizmit në Shqipëri filloi vetëm rreth viteve 2000 pasi transformimi ekonomik i pas tranzicionit kishte zënë rrënjë. Kroacia është një treg më i stabilizuar, me një raport të lartë të numrit të shtetërve për turistë. Nga ana tjetër, edhe Shqipëria ka shënuar një rritje më të shpejtë të kapacitetit të shtretërve për turistë.
Në krahasim me Shqipërinë, Kroacia shihet si më konkurruese në sektorin e turizmit. Raporti i Konkurrencës së Udhëtimit dhe Turizmit i Forumit Ekonomik Botëror e rendit Kroacinë dhe Shqipërinë në vendin e 32-të dhe të 98-të.
Në krahasim me Shqipërinë, Kroacia dallohet për marketingun e saj, për një hapje më të madhe ndërkombëtare (e përcaktuar nga hapja e regjimeve të vizave, numri i shërbimit ajror bilateral dhe marrëveshjeve rajonale), një perceptim më i lartë i nivelit të sigurisë dhe një cilësi shumë më e lartë e shërbimeve turistike dhe infrastrukturës së transportit ajror.
Sidoqoftë, Shqipëria është më konkurruese sa i takon çmimeve. Ky paradoks i dukshëm, që Shqipëria ka parë një rritje më të shpejtë në krahasim me Kroacinë pavarësisht se perceptohet si më pak konkurruese se kjo e fundit, mund të shpjegohet vetëm duke analizuar fazat e ndryshme të zhvillimit të tyre, duke qenë se Kroacia është një treg më i stabilizuar, ndërsa Shqipëria një destinacion në zhvillim i cili konkuron fuqishëm në drejtim të çmimeve më të ulëta por i mungon zhvillimi i përgjithshëm i Kroacisë.
Turizmi i “rërës dhe diellit” i Shqipërisë dhe Kroacisë shoqërohen me sfidën e sezonalitetit. Pjesa më e madhe e turistëve vijnë në verë, një fenomen që është më i theksuar në Kroaci. Sezonaliteti i fortë kufizon lidhjet e prapambetura të turizmit me pjesën tjetër të ekonomisë, pasi kërkesa për punë dhe inpute të tjera rritet në bazë sezonale.
Për të ndërtuar një turizëm më të fortë gjatë gjithë vitit, autoritetet e të dyja vendeve po zhvillojnë turizmin kulturor, natyror, gastronomik, detar dhe atë shëndetësor.
Strategjitë e ndjekura në drejtim të zhvillimit të aeroportit të Shqipërisë mund të mos kenë qenë ato të duhurat sa i takon turizmit, thekson FMN. Koncesioni i vitit 2005 për Aeroportin e Tiranës ndaj një kosorciumi ndërkombëtar për të gjithë trafikun ajror tregtar në Shqipëri, rezultoi me tarifa relativisht të larta taksash dhe çmimesh.
Pikërisht kjo e bëri Shqipërinë një destinacion më pak të preferuar në krahasim me aeroportet e tjera rajonale (të cilat ishin edhe më afër zonave turistike) dhe që ofronin taksa dhe çmime më të ulëta. Që prej vitit 2016, pronësia dhe kushtet e koncesionit kanë ndryshuar, dhe transportuesit me kosto të ulët po ndeshen më shpesh në Shqipëri. Një aeroport i ri është ndërtuar në veri të vendit dhe planet janë për të ndërtuar edhe një aeroport tjetër në jug, afër zonave turistike.
Ndërsa Kroacia e ka përqafuar modelin rajonal të aeroportit shumë më parë, duke tërhequr transportues me kosto të ulët. Transportuesit me kosto të ulët kanë operuar në Kroaci që nga viti 2004 dhe aktualisht operojnë në pesë aeroporte bregdetare dhe në dy aeroporte brenda vendit, duke i sjellë turistët shumë më afër zonave turistike.
Kërkimet e ndryshme tregojnë gjithashtu se transportuesit me kosto të ulët mund të luajnë një rol të rëndësishëm në tërheqjen e vizitorëve nga tregjet në zhvillim edhe jashtë kulmit të sezonit turistik si në fund të pranverës dhe në fillim të vjeshtës, thuhet në raportin e FMN. (Monitor)