Autoriteti i Konkurrencës ka ndryshuar vendimin e saj lidhur me hetimin e thelluar në tregun e importit të grurit dhe prodhimit të miellit ku përfshihen disa operatorë të tregut. Në një sqarim të detajuar mbi këtë vendim AK nënvizon se dy janë arsyet e para që në treg ka pasur shit-blerje të kompanive dhe e dyta afati për hetimin e thelluar i vendosur nga 1 janari 2018 deri në qershor 2019 duhet të zgjerohet edhe në vitin 2017. Me vendimin e vjetër nën hetim ishin kompanitë “Agroblend”, “Miell Tirana”, “Bloja” dhe “Atlas”. Por me shitjen e njërës prej tyre ka ndryshuar edhe objekti nën hetim duke shtuar edhe kompaninë e re Altas Mills sh.p.k
“Nga administrimi i informacionit u konstatua se në ndërmarrjen nën hetim Atlas SHA, e cila ka ushtruar veprimtarinë ekonomike në tregun e përpunimit dhe tregtimit të miellit, ka ndodhur transferimi i biznesit (veprimtarisë ekonomike) të përpunimit dhe tregtimit të miellit tek ndërmarrja Atlas Mills SHPK, konkretisht me vendim e datës 03.09.2018 të Asamblesë së Përgjithshëm të shoqërisë Atlas SHA. Atlas Mills SHPK është krijuar si një Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuar me ortak të vetëm Dimitrios Thomoglou, aksioner i vetëm edhe i ndërmarrjes Altas SHA.
Në datë 28 Shtator 2018, zotëruesit e shoqërive Atlas Mills SHPK dhe Besniku SHPK, kanë lidhur marrëveshjen “Kontratë Shitje Kuotash”, ku Z. Dimitrios Thomoglou (shitësi), në cilësinë e pronarit të “kuotës” së kapitalit të shoqërisë Atlas Mills SHPK i shet shoqërisë Besniku SHPK (blerësi) kuotën e vetme të kapitalit të shoqërisë Atlas Mills SHPK.
Komisioni i Konkurrencës me vendimin nr. 622, datë 13.05.2019 “Mbi autorizimin e përqendrimit të realizuar nëpërmjet blerjes së 100% të kuotave të shoqërisë Atlas Mills SHPK nga shoqëria Besniku SHPK”, ka vendosur të autorizojë përqendrimin e realizuar nëpërmjet blerjes së 100 % të kuotave të shoqërisë Atlas Mills SHPK nga shoqëria Besniku SHPK.
Sa më sipër, ndërmarrja Atlas Mills SHPK nga data 28.09.2018 ka kaluar në pronësi të shoqërisë Besniku SHPK, gjë e cila nënkupton faktin që ndërmarrja Atlas SHA nga ky moment nuk operon më në tregun e prodhimit (përpunimit) dhe tregtimit të miellit.
Si përfundim rezulton se, gjatë periudhës nën hetim 01.01.2017 deri në 30.06.2019, në tregun objekt hetimi operojnë të dyja ndërmarrjet Atlas SHA me aksionar z. Dimitrios Thomoglou dhe Atlas Mills SHPK me ortak të vetëm shoqërinë Besniku SHPK, duke bërë të nevojshme përfshirjen e të dyja këtyre ndërmarrjeve nën hetim” sqaroi Konkurrenca.
Hetimi për tregun e importit të grurit dhe prodhimin, përpunimin dhe tregtimin e miellit nisi me një hetim paraprak në vitin 2018 dhe nga ana e institucionit u nënvizua se mund të kishte element që përbëjnë shkelje të konkurrencës. Kjo bëri që të merrej një vendim i dytë për hetim të thelluar që tashmë do të ketë edhe një afat më të gjatë duke përfshirë vitin 2017.