Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, ka pritur në takim një përfaqësi të shoqates “Fermeret e Myzeqese” dhe te grupit të fermerëve që protestuan përpara disa ditësh lidhur me ngërçin e krijuar për shitjen e prodhimeve bujqësore, kryesisht të domates.
“Në takim u diskutuan me radhë të gjitha kërkesat që fermerët kanë parashtruar. Ministri Çuçi garantoi fermerët se një grup ekspertësh i kryesuar nga zv.ministri Dhimo Kote ka ditë që po punon për të gjitha çështjet që kanë ngritur fermerët.
Ministri garantoi fermerët se kërkesat që lidhen direkt me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, janë thuajse të realizueshme të gjitha. Por kjo do të bëhet duke hapur një diskutim më të gjerë edhe me grupet e tjera të interesit apo shoqatat e tjera rreth të cilave janë grupuar fermerët” njofton Ministriae Bujqësisë.
Ndërkohë për kërkesat e tjera që nuk lidhen me Ministrinë e Bujqësisë dhe kërkojnë ndryshim në paketën fiskale apo kanë efekt në buxhetin e shtetit, sipas ministrisë, do të përfshihen në proces edhe Ministria e Financave, si dhe do të shqyrtohen në qeveri.
“Takimi i sotëm ishte hapi i parë i një pune të përbashkët që do të vijojë në ditët dhe javët e ardhshme për të adresuar si duhet shqetësimet e fermerëve” njofton Ministria.