Në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë të paktën 88 aplikime të bëra deri më tani për ndërtimin e impianteve fotovolatikë deri në 2 Mw duke treguar kështu se interesi mbetet i lartë. Bëhet fjalë për projekte që nuk konsiderohen koncesione tipike dhe që miratimi i tyre kalon vetëm përmes firmës së ministrit.
Të paktën 12 projekteve që kanë kaluar përmes kësaj skeme dhe që tashmë një pjesë në ndërtim dhe një pjesë në prodhim, u garantohet blerja e energjisë me një tarifë 100 euro/MWh një çmim ky relativisht i lartë por që fillimisht u argumentua si i një mënyrë për të nxitur investimet në këtë sektor.
Në kohën kur Enti Rregullator i Energjisë miratoi këtë nivel çmimi u theksua gjithashtu se në vend nuk kishte eksperienca nga këto impiante dhe se kostot ishin marrë në përafërti nga rajoni. Kjo situatë u tërhoq më vonë nga ERE për të rishikuar çmimin me tendencë në ulje por deri më tani nuk ka dalë një vendim për një çmim të ri. Kapaciteti total i instaluar i impianteve që do t’ju blihet energjia me 100 euro/MWh nga shteti ( në këtë rast Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Eklektike) është 24 MW.
Duket se edhe për parqet eolike ka pasur zhvillime pasi në një raportim të fundit pranë Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë Ministria e Infrastrukturës bëri me dije se janë 70 aplikime për ndërtimin e impianteve eolike. Deri më tani janë dhënë autorizime për tre impiante me kapacitet të instaluar 3MW çka në total shkon në 9MW që ju garantohet blerja me një çmim 76 euro/MWh nga shteti përgjatë kohës së mbajtjes së të drejtës së koncesionit. Ndërkohë që janë dhënë edhe 32MW kapacitet i instaluar për impiante eolikë por pa masa mbështetëse.
Në planin e ri të energjisë Shqipëria ka rishikuar nivelet për zgjerimin e instalimeve që synojnë prodhimin e energjisë nga burimet e rinovueshme duke parashikuar rritjen me 738 MW kapacitet të instaluar përgjatë 2019-2020. Nga këto të paktën 57MW llogaritet se do të vijnë nga hidroenergjia, 490 MW nga fotovoltaiket, 150 MW nga era dhe 41 MW nga mbetjet.