Sasi të konsiderueshme predhash, granatash dhe bombash gjenden ende në fund të Liqenit të Gjenevës në Zvicër. Autoritetet zvicerane thonë se municionet, hedhur pas Luftës së Dytë Botërore, nuk janë një kërcënim pasi ato janë të vendosura në shtresa shumë të thella tokësore që nuk përbëjnë rrezik për shpërthime të mundshme.
Por një shoqatë franceze specialistësh zhytjeje e kundërshtoi haptazi këtë deklaratë, duke pretenduar se anëtarët e saj kishin parë kuti municionesh të hapur të shpërndarë jo nën sediment, por në shtratin e liqenit. “Ne jemi të shqetësuar për mundësinë e kalimit të këtij uji nëpër tubacionet e ujit të pijshëm dhe të gazit që ndodhen pranë liqenit” tha Lionel Rard, presidenti i Odysseus 3.1, një shoqatë e cila punon për të mbrojtur mjediset ujore. “Për më tepër, ne nuk e dimë se në çfarë gjendje janë të konservuara municionet,” shtoi ai.
Por lind pyetja pse u hodhën predha, granata dhe bomba në Liqenin e Gjenevës?
Vlerësohet se deri në 1.500 ton municione u hodhën në liqen midis fundit të viteve 1940 dhe 1960. Në vitet 1930, tensionet e rritura në Europë i shtynë vendet në një garë armësh; edhe ato neutrale si Zvicra. Në vazhdën e Luftës së Dytë Botërore dhe pas aneksimit të Austrisë nga Gjermania naziste të Austrisë, Zvicra filloi të rrisë prodhimin e saj të municioneve dhe armëve.
Rreziku për Konfederatën Zvicerane u bë më i qartë pasi u zbulua plani i okupimit të Adolf Hitlerit për kombin neutral alpin, i quajtur Plani Tannenbaum. I rrethuar nga fuqitë e Boshtit, Zvicra ngriti fortifikime në kufijtë e saj, duke krijuar një kështjellë të përzier prej betoni dhe male që u bënë të famshme si “simbol kombëtar”. Pas humbjes së Gjermanisë naziste dhe mbarimit të Luftës së Dytë Botërore në Europë, Zvicra e gjeti veten me një numër të madh armësh dhe municionesh. Fillimisht, këto ishin të ruajtura në depo por, në 1946 dhe 1947, dy shpërthime depozitë municionesh shkaktuan vdekjen e më shumë se një duzinë njerëzish dhe dëme të mëdha. Ndaj u sugjerua një zgjidhje tjetër: zhytja, siç u shqyrtua nga historiania zvicerane Elodie Charrière në studimin e saj.
Pra, nga fundi i viteve 1940 deri në fund të viteve 1960, ushtria zvicerane hodhi më shumë se 8,000 ton municion në disa liqene të vendit. Depozitimet e municioneve në Liqenin e Gjenevës nuk u kryen vetëm direkt nga ushtria, por edhe nga një kompani private, Hispano-Suiza, fabrika e së cilës kishte prodhuar armë gjatë luftës. Këto operacione ndodhën në një sipërfaqe prej më shumë se 10 km², në pjesën më jug-perëndim, më të ngushtë dhe më të cekët të Liqenit të Gjenevës.
Çfarë thonë specialistët?
“Ne jemi zhytës që jemi mësuar të stërvitemi në Liqenin e Gjenevës ndër vite. Së fundmi, zbritëm në një thellësi midis 45 dhe 55 metra, me një shikueshmëri prej 80 metrash. Kishte shumë, shumë arka municionesh dhe jo nën sedimente por në fund të liqenit”. Odysseus 3.1 beson se këto municione paraqesin një rrezik real për popullatën dhe mjedisin.
Çfarë thonë autoritetet zvicerane?
Departamenti Federal i Mbrojtjes, Mbrojtjes Civile dhe Sportit Zviceran (DDPS) ka deklaruar vazhdimisht se këto municione të hedhura nuk lëshojnë substanca të dëmshme dhe se rekuperimi i tyre është i panevojshëm. Por pasi Odysseus 3.1 mbajti një konferencë për shtyp të Premten, çështja është vendosur në qendër të vëmendjes. Sipas Salima Moyard, politikane socialiste e Këshilli të Madh të Gjenevës, tematika dhe fenomeni do të shqyrtohen zyrtarisht në një seancë parlamentare më 12 dhjetor. (Euronews)