Ministrja e Arsimit, Besa Shahini në një deklaratë zyrtare për mediat ka folur për vijueshmërinë e procesit mësimor në qarkun e Durrësit, Tiranës dhe Lezhës. Më datë 9 dhjetor do të jetë fillimi i mësimit në qarkun më të prekur, ndërsa në Tiranë dhe Lezhë mësimi do të fillojë më 5 dhjetor, me opsionin e shtyrjes. Ndërsa për sa i përket datave të pushimit duhet të rishikohen për të zëvendësuar për të marrë veten me mësimin dhe orët e anuluara.
Shahini është ndalur edhe tek dëmet që tërmeti ka shkaktuar në infrastrukturën e ndërtesave duke thënë se në qarkun e Durrësit e të Lezhës janë 26 shkolla të prekura të cilat do të trajtohen dhe do të rregullohen në raste të tjera, do të bëhet zhvendosja e nxënësve. ndërsa në qarkun e Tiranës sipas Shahinit, numri shkon deri në 23.
Në shkolla sipas ministres së Arsimit mësuesit do të kenë një program dhe një plan evakuimi nëse do të ketë serish lëkundje. Po kështu nxënësit me anë të videove do të njihen me metodat se si të sillen në një situatë tërmeti në mënyrë që ata të mos kenë panik dhe kaos në raste lëkundjesh.
Po kështu në shkolla do të ketë edhe psikologë për fëmijët në mënyrë që të përballohen të gjitha situatat pas dramës që kanë kaluar.
Ndërkohë, për Arsimin e Lartë ministrja ka njoftuar një ditë më parë se Universitetet publike janë autonome dhe në bazë të rektoratit secili prej tyre e vendos vetë datën e rifillimit të mësimit. Ajo gjithashtu u shpreh se Universitet në Elbasan dhe Shkodër kanë vijuar normalisht procesin mësimor gjatë këtyre ditëve.