Reklame:

Termeti, hetime per ndertimet ne Tirane, Durres e Thumane

Në Shqipëri, prokuroritë e Tiranës, Durrësit dhe Krujës njoftuan se kanë nisur prej disa ditësh hetimet lidhur me ndërtesat e dëmtuara si pasojë e tërmetit të fortë që goditi vendin, të martën e shkuar. Hetimet janë përqëndruar në verifikimin e lejeve të dhëna për ndërtim, respektimin e rregullave dhe ndërtimet e paligjshme.
Për situatën e krijuar presidenti Ilir Meta mblodhi sot Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Të dhënat paraprake zyrtare flasin për 7900 banesa dhe pallate te dëmtuara.

Tirana dhe Durrësi janë dy zonat më të prekura nga tërmeti, përfshirë dhe qytezën e Thumanës. Ndërtimet e shumta që u dëmtuan, janë bërë pjesë e një hetimi të nisur nga tre prokuroritë, ajo e Kreyqtetit, Durrësit dhe Prokuroria e Krujës për ngjarjet në Thumanë. Sipas njoftimeve zyrtare, pjesën e hetimeve të cilat kanë nisur për veprat penale Shpërdorim Detyre, Ndërtim pa leje dhe dhënia e ndihmës për ndërtim pa leje, janë lejet e ndërtimit të lëshuara nga autoritetet vendore, zbatimi i tyre nga ndërtuesit, si dhe rastet e ndërtimeve abusive dhe mungesa e ndërhyrjes së autoriteteve përgjegjëse.

Të dhënat e para zyrtare të bëra publike sot pasdite nga zëvendësministrja e Brendshme Rovena Voda flasin për 7900 banesa dhe pallate të prekura:

Banesa të shembura 131

Banesa të dëmtuara rëndë 3 811

Banesa të dëmtuara lehtë 3 149

Pallate të dëmtuar rëndë 461

Pallate të dëmtuar lehtë 324

Situata e rëndë e krijuar nga pasojat e tërmetit ishte në qendër të mbledhjes së posaçme të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të thirrur sot nga presidentit Ilir Meta, i cili shpjegoi pas takimit se është diskutuar “për një bashkëveprim dhe koordinim më të ngushtë midis të gjitha institucioneve për përballimin e emergjencës deri në rivendosjen e normalitetit të plotë” dhe se i ishte dhënë mbështetje “prokurorisë të çojë përpara hetimet dhe të vendosë para përgjegjësisë penale të gjithë ata që do të rezultojnë përgjegjës”. Sipas presidentit Meta duhet “të sigurohen burimet e brendshme dhe mbështetja e duhur ndërkombëtare për tejkalimin e pasojave të rënda të tërmetit”

Mbështetja ndërkombëtare deri më tani ka qenë e menjëhershme. Pas ndihmës që në orët e para pas goditjes të së martës, janë deri më sot 50 ekspertë të huaj të angazhuar në vlerësimin e godinave të dëmtuara. “Kjo fazë do të zgjasë disa ditë. Të gjitha fushat shqetësuese do të trajtohen në mënyrë sistematike nga ekipe të përbashkëta të ekspertëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë”, tha sot ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca.

Deri pasdite ishin 469 objekte të vlerësuara nga grupet e përbashkëta të ekspertëve në Durrës, Krujë dhe Shijak. Në përfundim 180 kanë rezultuar të pabanueshme dhe 21 ndërtesa që duhen prishur në zonën e Durrësit.

Pas përmbylljes së këtij procesi do të duhet të nisë faza e rindërtimit. “Në një fazë të tretë, ne do të shqyrtojmë se si Bashkimi Evropian do ta ndihmojë Shqipërinë të rindërtohet me një perspektivë nga afatmesme deri në afatgjatë. Ky diskutim do të fillojë të enjten me vizitën e Komisionerit tonë të ri Evropian për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarčič. Planifikimi i rindërtimit do të kërkojë një vlerësim të plotë të nevojave pas katastrofës dhe një koordinim efikas të donatorëve, që BE-ja është e gatshme t’i mbështesë.”, deklaroi ambasadori Soreca. (VOA)