Reklame:

Shtyhet aplikimi per grantet ne bujqesi – Agrobizneset, 1 muaj me shume afat. Lehtesite ne proceudure!

Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural ka shtyrë me një muaj afatin e aplikimit për thirrjen e dytë të programit IPARD ku janë vendosur në dispozicion  57.6 milionë euro në mbështetje të agrobizneseve dhe fermerëve. Shkak për shtyrjen e afatit deri më 15 Janar 2020 është bërë gjendja e jashtëzakonshme e krijuar pas tërmetit të 26 nëntorit, dhe vështirësisë që kanë pasur fermerët dhe subjektet në marrjen e dokumentacioneve të nevojshme në institucionet publike. Sipas AZHBR-së ka pasur një fluks aplikimesh dhe duke u nisur nga problematika e thirrjes së parë, këtë radhë janë bërë disa lehtësira, në mënyrë që subjektet ta kenë më të thjeshtë përthithjen e fondeve.

Kështu, aplikantëve u është dhënë më shumë kohë për plotësimin e dokumentacionit shtesë që kërkohet nga AZHBR në 15 ditë pune dhe janë përfshirë si të lejuara kontratat e huapërdorjes ose kontratat pa kundërshpërblim për marrjen në përdorim të një pasurie, si dhe u është dhënë mundësi për të aplikuar për rikonstruksionin e thertoreve.

Në thirrjen e dytë, do të financohen 3 masa: Investimet në asetet fizike të fermave bujqësore; Investimet në përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore; diversifikimi i fermave dhe zhvillimi i biznesit. Financimi fillon me një minimum prej 10 mijë eurosh dhe maksimum deri në 2 milionë euro. Përqindja e mbështetjes me fonde publike arrin deri në 70 për qind të  totalit të shpenzimeve të pranueshme të investimit.  Aplikimet u hapën më 30 Tetor dhe Çdo aplikim i mbërritur në zyrat qendrore AZHBR pas datës 15 Janar 2020 do të refuzohet.